E Diel, 1 Nëntor 2026

Prek korentin me kokë, shkrumbohet 17-vjeçari

08/04/2005  TIRANË- Vdes i shkrumbuar nga telat e tensionit të lartë, 17-vjeçari nga Paskuqani. Një pakujdesi e momentit i ka kushtuar jetën djaloshit Qamil Klosha, banues në lagjen e Paskuqanit në Tiranë. Edhe pse ata që ndodheshin pranë tij në momentin kur aksidentalisht koka e tij preku në telat e rrymës elektrike, e dërguan menjëherë në spital, ai dha shpirt gjatë rrugës. Ngjarja ndodhi në orën 03.00 të ditës së djeshme, pranë "Shkollës së Bashkuar", teksa Klosha ishte duke transportuar një kioskë të lëvizshme me një vinç. Sipas dëshmitarëve të ngjarjes, 17-vjeçari kishte hipur në pjesën e sipërme të vinçit, për të mundësuar lëvizjen sa më të lirshme të kioskës, e cila po transportohej në një vend tjetër. Pikërisht ky ka qenë edhe momenti i tragjedisë, kur Kloshës i ka prekur pjesa e sipërme e kokës te telat e korentit. Ai, sipas dëshmitarëve, u drodh disa herë dhe u lëshua përtokë. Në çastin kur u dërgua në urgjencën e Qendrës Spitalore "Nënë Tereza" ai merrte fyrmë, ndërsa ka dhënë shpirt vetëm disa metra larg derës së urgjencës. Më pas, trupi i tij i pajetë u dërgua në morgun e Tiranës. Burime nga Mjekësia-Ligjore thanë se rryma elektrike i ka prekur direkt kokën dhe vdekja ishte e pashmangshme. Trupi i Kloshës u dëmtua pjesërisht, ndërsa ditën e sotme ai do të përcillet nga të afërmit në banesën e tij të fundit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›