E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushtetuesja merr në shqyrtim qiratë e banesave

11/04/2005  Pronarët kanë kërkuar rrëzimin e kërkesës

Gjykata Kushtetuese pritet të nisë sot seancën e parë të shqyrtimit të kërkesës së familjarëve që banojnë në shtëpitë e pronarëve me vendim qeverie. Ankuesit do të mbrojnë kërkesën për rrëzimin e nenit 9 të ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave, i cili përcakton se në shtator të vitit 2006, këta familjarë duhet të paguajnë qiranë e banesës sipas vlerës së tregut. Ndërsa në shtator të vitit 2007, ata janë të detyruar që të gjejnë një tjetër vend banimi, ose të nënshkruajnë një kontratë të re me pronarët. Nga ana tjetër, këta të fundit janë shprehur se nuk është e drejtë që në pronën e një personi të vendosen persona të tretë, pa një kompensim të drejtë. Ndaj ata kërkojnë që Gjykata Kushtetuese të mos e miratojë këtë kërkesë, por të shihen rrugë të tjera për zgjidhjen e çështjes. Pronarët kanë propozuar si zgjidhje mundësimin nga shteti të kredive të zbutura për këta familjarë, ose shkëmbimin e trojeve shtetërore me apartamente nga firmat ndërtuese. Kjo do të sillte dhe një zgjidhje më të shpejtë, pasi në tregun e trojeve njihet shkëmbimi i tokës me 25-30 për qind të apartamenteve. Deri më tani njihen 3500 apartamente që u janë njohur pronarëve, por nuk u janë kthyer, pasi shteti në to ka vendosur familje të tjera për banim. Afatet për zgjidhjen e kësaj çështjeje janë shtyrë tri herë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›