E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushtetuesja nis shqyrtimin e mandatit të Beqes

Kuvendi i Shqipërisë nga i cili është dërguar kërkesa nëse mandati i Beqes ka përputhje me Kushtetutën, pretendon se deputeti i opozitës ka shkelur Kushtetutën e vendit, duke marrë pjesë në një tender publik pas kishte marrë mandatin e deputetit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Beqja ka përfituar mbi 200 milion lekë nga një tender në Bashkinë e Durrësit.

"Z. Ilir Beqja është deputet i Kuvendit të RSH që prej datës 1 gusht 2009. Pjesëmarrja në procedurat e prokurimit dhe përfitimi i fondeve publike nga bashkia Durrës i përkasin datave të mëvonshme. Pra, këto fonde janë përfituar nga zoti Beqja gjatë kohës që ky i fundit ka qenë deputet, duke rënë kështu në gjendje papajtueshmërie", tha Jonida Dervishi, përfaqësuese e Kuvendit.

Ndërkohë, avokati mbrojtës i deputetit shprehet se Beqja e ka fituar mandatin më 25 shkurt 2010, datë e cila përkon me kohën kur opozita hyri në Parlament dhe deputetët u betuan pas bojkotit disa mujor. "Kemi marr betimin si momentin e vlefshëm, si momentin e vetëm procedurial i cili e konsideron deputetin me mandat për të ushtruar detyrën e tij. Deputeti para kësaj date nuk ka mandat, dhe vetë Kushtetuta thotë pa bërë betimin s'ke mandat", tha Genc Çifligu, avokati Ilir Beqes.

Pas kësaj, Gjykata Kushtetuese pritet të marrë një vendim nëse Beqja e ka shkelur ose jo ligjin themeltar të shtetit, që është Kushtetuta e vendit, e cila parasheh që një deputet nuk mund të marrë pjesë në tendera publikë. /Saimir Lleshi/Start/

                                                                                             2010-12-23 15:24
  [ 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›