E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushtetuesja nis shqyrtimin e mandatit të Ilir Beqjes, pritet marrja e vendimit

24-12-2010 / Gazeta 55

Shkelja e Kushtetutës nga deputeti socialist Ilir Beqja, në përfitimin e fondeve publike gjatë ushtrimit të funksioneve si ligjvënës i Kuvendit të Shqipërisë, bëri që mandati i tij të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese për interpretim. Anëtarët e gjykatës shqyrtuan dje kërkesën e PD-së, ndërkohë dje shqyrtuan kërkesën e PS.
Mazhoranca akuzon deputetin Beqja se ka shkelur kushtetutën pasi ka përfituar nga fondet publike ndonëse është deputet i parlamentit shqiptar. Vetë ai nuk e ka pranuar një gjë të tillë dhe i ka hedhur poshtë akuzat. Në seancën e sotme në Gjykatë Kushtetuese mori pjesë dhe deputeti Beqja.
Avokati i deputetit të PS, i kërkoi Gjykatës Kushtetuese të mos marrë parasysh votimin në Kuvend për heqjen e mandatit të klientit të tij, pasi sipas tij, ka shkelje të rënda procedurale dhe ligjore.
Sipas tij edhe votimi në Kuvend ( 21 tetor 2010, 70 vota pro dhe 67 kundër) ka qenë i parregullt pasi nuk është arritur vota 70+1 për shkak të pavlefshmërisë së votës për një deputet për probleme teknike në sallën e Kuvendit. Vete Beqja tha parë Gjykatës “se inicimi i kësaj çështje nga mazhoranca është politike dhe vjen menjëherë pasi ILDKP kishte nisur hetimin e pasurisë së tij”.
Beqja akuzohet se më 30 nëntor 2009 një kompani private ku ai është aksioner ka fituar një tender. Deputeti Ilir Beqja është ortak me 51 për qind të aksioneve në Shoqërinë INTECH+.  Kjo shoqëri ka marrë pjesë në tenderin e datës 22. 10. 2010, ka fituar dhe lidhur kontratë me Bashkinë Durrës.
Për rrjedhojë, Bashkia Durrës i ka paguar kësaj shoqërie në këmbim të ushtrimit të veprimtarisë së saj, shumën 24 240 000 lekë (shumën 14 676 000 lekë më 17.2.2010 dhe shumën 9 564 000 më datë 21.5.2010) Shoqëria INTECH+ ka përfituar nga Bashkia Durrës edhe shumën prej 3 618 000 lekë më datë 14.12.2009 nga një kontratë e mëparshme. Këto pretendime mbështeten nga dokumentacioni që shoqëron kërkesën, lëshuar nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit, Agjencia e Prokurimit Publik dhe Ministria e Financave. Sipas nenit 70 pika 3 e Kushtetutës, “Deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre”.
 Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin konstatoi se kërkesa plotëson kushtet formale është e shoqëruar me dokumentacionin përkatës dhe propozoi shqyrtimin e kërkesës së një grupi deputetësh, më shumë se një e dhjeta e anëtarëve të Kuvendit, për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, për të konstatuar papajtueshmërinë me detyrën të deputetit, Ilir Beqja, në Seancë Plenare.
Me Vendimin nr. 65, datë 21. 10. 2010, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ka vendosur dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese për të konstatuar papajtueshmërinë me mandatin të deputetit Ilir Beqja.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›