“Opozita hyri qëllimisht në grevë urie, në prag të vendimeve të Brukselit”

Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha
“Le të bashkohemi së bashku në reforma me karakter gjithëpërfshirës për t’u dhënë shqiptarëve atë për të cilën na kanë votuar”. Ky ishte apeli i ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, drejtuar deputetëve të opozitës gjatë fjalës që mbajti dje në seancë plenare.
Sipas tij, duhen lënë mënjanë interesat personale dhe të bashkëpunohet, por shtoi se nuk sheh asnjë vullnet nga pala tjetër për këtë. Basha tha se kërkesa e Partisë Socialiste për rezolutë, ka qenë vetëm një diversion i opozitës për të mbuluar dështimin e saj.
“Kërkesa e PS-së ka qenë e gënjeshtërt dhe duhet të braktisim interesin personal”, shtoi ai. Ministri i Brendshëm vijoi reagimin e tij nga foltorja e Kuvendit, duke i kritikuar deputetët socialistë se po veprojnë në bazë të kapriçiove të një njeriu të vetëm, i cili është kryetari i tyre, pa pyetur për interesat e zgjedhësve që i kanë votuar. Në këtë kuadër, ai ka deklaruar se opozita nuk ka qenë asnjëherë e gatshme për të bashkëpunuar me mazhorancën për interesat e vendit. Pikërisht, ndaj ai edhe e ka drejtuar thirrje ndaj deputetëve të opozitës që ata të bashkëpunojnë në të mirë të interesave të elektoratit.