E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtetuesja rihap masakrën e Kozarës: Rigjykim për Marën

SHKRUAN: Leonard Bakillari 04-05-2011 11:35

Tiranë- Pesë vjet pas masakrës së Kozarës në Kuçovë, Gjykata Kushtetuese vendosi të rihapë çështjen që asokohe tronditi mbarë opinionin publik. Vrasja e një familjeje, mes të cilëve një fëmijë 2 vjeç dhe një tjetër i ende i palindur, si dhe arrestimi i Luan Marës, si i akuzuar për këtë masakër, tronditën mbarë vendin. Të gjithë kërkuan drejtësi dhe autori i arrestuar pranoi se kishte vrarë vëllanë, Shpëtim Marën, 35 vjeç; gruan e tij, Florien që ishte shtatzënë; dhe djalin e tyre 2-vjeçar, Artiolin. Kur kanë kaluar më shumë se pesë vjet nga masakra e 10 shkurtit të vitit 2006, Gjykata Kushtetuese argumenton se kjo çështje duhet të rigjykohet, pasi të pandehurit i janë shkelur të drejtat e garantuara me ligj. Me unanimitet, 9 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë vendosur të shfuqizojnë dy vendimet që dënuan me burgim të përjetshëm Luan Marën, si dhe vendimin e Gjykatës së Lartë, që nuk pranoi rekursin e bërë nga avokatët e tij mbrojtës. Në vendimin prej 9 faqesh, që mban firmën e të gjithë gjyqtarëve të Kushtetueses, rezulton se nga arrestimi e deri te mospranimi i rekursit nga Gjykata e Lartë janë konsumuar të paktën 9 shkelje të Kushtetutës nga organet e zbatimit të ligjit. Në kërkesën për shfuqizimin e vendimeve të të tria shkallëve të gjyqësorit, avokatët e të dënuarit me burgim të përjetshëm kanë sjellë 9 argumente, që, sipas tyre, tregojnë se Luan Mara nuk është përgjegjës për masakrën. Si pretendim të parë, avokatët kanë paraqitur faktin se klienti i tyre është dhunuar në ambientet e komisariatit të Policisë së Beratit, ku ka firmosur pa praninë e avokatit deklaratën që merrte përsipër autorësinë e vrasjes së të vëllait, bashkëshortes së tij dhe djalit të tyre dy vjeç. Po ashtu, mbrojtësit e të dënuarit me burgim të përjetshëm thonë se gjykata që ka shqyrtuar çështjen në themel ka paragjykuar përgjegjësinë penale të të pandehurit, ndërsa vendimi përfundimtar nuk ka qenë i arsyetuar dhe i bazuar në prova. Të gjitha këto pretendime janë shqyrtuar një për një nga Gjykata Kushtetuese, pas relacionit që ka përcjellë para kolegëve ish-kreu i kësaj Gjykate, Vladimir Kristo. Sipas vendimit, rezulton se gjatë shqyrtimit gjyqësor të kësaj çështjeje, por edhe gjatë mbajtjes së të arrestuarit Luan Mara në ambientet e policisë, nuk janë respektuar të drejtat ligjore që përcaktohen në Kushtetutë. “Nga vendimet objekt kundërshtimi të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Beratit dhe Gjykatës së Apelit të Vlorës rezulton se është provuar në rrugë gjyqësore se i pandehuri Luan Marra është marrë në pyetje në mjediset policore pa praninë e mbrojtësit ligjor dhe se ky i fundit, i thirrur pas përfundimit të seancës së pyetjeve, më pas ka nënshkruar një deklaratë, sipas së cilës i pandehuri kishte pranuar para punonjësve të policisë autorësinë për veprën e kryer”- thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Më tej argumentohet se gjatë gjykimit në Shkallën e Parë, i pandehuri ka pretenduar se është detyruar të nënshkruante deklarimin, në të cilin pranonte fajin, si pasojë e dhunës së vazhdueshme, të ushtruar ndaj tij nga punonjës policie. Madje, kjo deklaratë është përdorur edhe nga prokuroria, e cila, sipas Gjykatës Kushtetuese, e ka paraqitur deklaratën e nënshkruar nga Luan Mara si provë në Gjykatë së bashku me një eksperiment hetimor, që sipas akuzës provon fajësinë e të pandehurit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›