Vrasja e Bin Laden nisi nga një i burgosur i Guantanamos
Me një precizion të lartë dhe fshehtësi të plotë, forcat speciale të marinës amerikane, “Navy Seals”, kryen operacionin që përfundoi me vrasjen e personit më të kërkuar në dekadën e fundit, Osama bin Laden. Rruga drejt terroristit më të kërkuar në botë filloi me një informacion nga një i ndaluar që mbahej në burgun e Guantanamos. Në gusht të vitit të kaluar, zyrtarët amerikanë të zbulimit vunë re një ndërtesë në Abbottabad të Pakistanit, një qytet rreth 160 kilometra larg kryeqytetit të vendit, Islamabad. Në fund doli se Osama bin Laden nuk fshihej në një shpellë në malet e larta mes Afganistanit dhe Pakistanit, por ai fshihej në një ndërtesë 1 milion dollarëshe me mure me lartësi 3 deri 5 metra, pa linja telefonike, e cila gjendet afër një baze të ushtrisë pakistaneze. Presidenti Obama të dielën tha se janë dashur disa muaj për përgatitjen e këtij operacioni. Pak pas mesnate në Pakistan, 30 deri në 40 trupa speciale të marinës amerikane kaluan kufirin nga Afganistani me dy helikopterë. Ata u lëshuan me litarë mbi kulm, siguruan ndërtesën dhe pastaj filluan shkëmbimet me armë zjarri. Osama bin Ladeni refuzoi urdhrat për t’u dorëzuar. Si rezultat, forcat speciale e qëlluan dy herë, njëra në kokë për t’u siguruar që ai kishte vdekur. “Ishte një operacion shumë i rrezikshëm, që kërkon guxim të madh. Nuk është e lehtë të fluturosh në një qytet në Pakistan, ta marrësh nën kontroll, të marrësh të burgosur në helikopter dhe të largohesh që andej. Duhet përshëndetur guximi i shërbimeve të zbulimit dhe Presidentit” - thotë Riçard Klark, ish - drejtues i sektorit të antiterrorizmit. Ky operacion ishte plani dytësor. Disa burime i kanë thënë televizionit amerikan ABC NEWS se në muajin mars, Presidenti ka autorizuar një plan për dërgimin e dy aeroplanëve bombardues B-1 për të goditur ndërtesën e Bin Ladenit në Abbottabad me bomba 1200 kilogramëshe. Por presidenti Obama hoqi dorë nga ky plan, sepse ndërtesa do të shndërrohej në grimca të vogla pluhuri duke shkatërruar dëshmitë dhe faktin se Bin Ladeni ishte vrarë. Afërsisht dhjetë vite pas sulmeve të 11 shtatorit, Shtetet e Bashkuara eliminuan terroristin më të kërkuar. Në mes të natës, komandot amerikane elitë, ndoshta të shoqëruara me operativë të CIA-s, zbritën nga helikopterët në një kompleks në një qytet të Pakistanit. Zyrtarët ushtarakë thonë se komandot shkuan nga një ndërtesë te tjera, duke hapur zjarr. Ata vranë tre burra dhe një grua, e cila u përdor si mburojë, para se të arrinin në katin e sipërm të ndërtesës kryesore të kompleksit. Atje, ata gjetën një grua tjetër dhe një burrë, objektivin e operacionit të tyre, Osama bin Laden. Zyrtarët thonë se Bin Laden rezistoi dhe u qëllua për vdekje nga trupat amerikane. Gruaja, e cila besohet të jetë një nga bashkëshortet e tij, u plagos. Më pas, forcat amerikane morën trupin e Bin Ladenit, shkatërruan një prej helikopterëve të tyre që kishte pësuar defekt dhe u larguan. Asnjë ushtarak amerikan dhe asnjë civil jashtë kompleksit nuk u lëndua dhe operacioni përfundoi brenda 40 minutash, para se forcat pakistaneze të sigurisë mund të reagonin. Përgatiti: Habjon Hasani