“Rrëfej 20 shkurtin, pse i nxita njerëzit të dilnin në shesh”
Ferdinand Dervishi
Rajmonda Bulku, pothuaj nuk ka folur për 20 shkurtin 1991. Ka qenë krejt e pa interesuar për të trazuar, për të ndërhyrë sadopak në kujtesën e dobët të shqiptarëve. Ka ndenjur krejt në hije, nuk ka thënë kurrë “jam edhe unë” edhe kur ka parë gjokse të panjohurish të stolisen me dekorata pambarim meritash në ngjarjet e 20 shkurtit 1991, të dhëna drejtpërdrejt nga Presidenti i Republikës. Por fatmirësisht, mbase për faktin se ngjarja që e përfshin ka qenë e përmasave të pazakonta, bashkëkombësit nuk e kanë harruar imazhin e artistes së njohur. Shumica e tyre. Edhe pas 19 vitesh të shkuara, ata vazhdojnë të mos e ndajnë këtë imazh nga zhvillimet e vrullshme të kësaj dite, që i ndiqnin ose drejtpërdrejt, rrugëve e shesheve të Tiranës, ose të mbërthyer pas pamjeve që emetoheshin në ekranet e televizorëve. Një imazh që me kalimin e viteve, për mendjet e shëndosha, është konvertuar në ikonën e pazëvendësueshme të këtyre ngjarjeve. Në ikonën e 20 shkurtit 1991. Në ikonën e rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës në qendër të Tiranës. Në ikonën e zhvillimit më të rëndësishëm të kohës, fitores më të madhe, thyerjes më të zhurmshme, humbjes më të thellë...
Me një zë që duket sikur del nga thellësia, që të kujton njeriun e përgjumur, apo artistin në moment meditimi ajo bindet për një takim. Një takim me kusht që të mos i hedhë në erë gjumin e mëngjesit të vonë...
Në orarin e caktuar afrohet me imazhin e hapin e pandryshuar pavarësisht viteve. Duke i mbyllur gjithë dimensionet pas vetes. Ulet e tret e përqendruar sheqerin e bustinës në filxhanin e çajit me shegë. Një çast më pas për pak hedh në erë gjithçka. Sepse bllokohet, ndihet në siklet, kërkon të ndryshohet vendi i intervistës, shkurt duhen edhe 30 minuta të tjera të hapërdara nëpër biseda pa zarar që brishtësia të ambientohet.
“Nxita gratë të shkonim te TVSH-ja”
“20 shkurti i vitit 1991 ishte një ditë e zakonshme për të qenë në Qytetin Studenti”, formulon përgjigjen e pyetjes së parë artistja e njohur duke të parë në sy. Më tej e mbath fjalinë, që nuk ka nevojë për asnjë fjalë më tepër, sidomos për ata që i kanë përjetuar ato kohëra. Rrëfen se në atë periudhë kishte gati dy muaj që të gjithë artistët shkonin përditë në Qytetin Studenti.
“Artistët kanë qenë nga më rebelët e asaj kohe, nga më agresivët. Që nga teatri, ku unë punoja, te ai i operës e shkuar te ata të Kinostudios. Shteti në të njëjtën kohë kishte ushtruar trysni, sidomos stafin e Kinostudios, ku në një rast ishte ushtruar edhe dhunë. Por aty, te studentët, vinte pothuaj e gjithë elita intelektuale e Tiranës. Pothuaj. 20 shkurti duhet të ishte një nga ditët e fundit të grevës së urisë së studentëve. Ata kishin disa kërkesa, më kryesorja e të cilave ishte heqja e emrit të Enver Hoxhës nga Universiteti i Tiranës. Nga vetë shteti pritej një lëshim. Nga Ramiz Alia...”
Me statusin e një qytetari jashtë radhëve të Partisë Demokratike të sapoformuar dhe duke mos pasur një informacion më të plotë, artistja e njohur, rrëfen se ato ditë, me përkeqësimin e shëndetit të studentëve, gjithçka ishte duke e përjetuar shumë rëndë. Jo e vetme, sigurisht.
“Na dukej e tmerrshme që studentët të vdisnin urie duke kërkuar që të hiqej emri i Enver Hoxhës nga universiteti i tyre. Por e pazakontë na dukej gjithashtu që të rrinin duarkryq. Nuk na mbante vendi. Në atë kohë televizioni i vetëm publik transmetonte ditën e natën mesazhe e telegrame nga reparte ushtarake, ndërmarrje, lagje, shtëpi lindjesh, ku studentët përbalteshin, bashkë me iniciativat e tyre. Kishte betime e stërbetime nga të quajturit “Vullnetarët e Enverit” për besnikëri ndaj vijës së diktatorit, për dhunë e gjak, nëse do të lipsej, e të tjera të ngjashme. Që të gjitha dezinformacion, që të gjitha në drejtim të kundërt me zhvillimet që po ndodhnin. Në një moment të tillë presioni psikologjik, së bashku me një grup artistësh vendosëm që të shkonim të bënim një protestë para televizionit shtetëror me qëllim që të paktën të mos lexoheshin më tej ato telegrame të zeza”, shpjegon.
Artistja e njohur rrëfen në vazhdim se sa shumë të lehtë e ka pasur të bindë një grumbull grash që të niseshin drejt televizionit shtetëror.”Mendova se policët e shumtë në numër, që vumë re rrugëve kur u ngjitëm në Qytet Studenti, do të tregoheshin me të kujdesshëm me femrat. Meshkujt, ku i dihet, edhe mund ti qëllonin me armë. Ndërsa gratë, të gjitha, nuk ma bënë fjalën dysh, sepse ishin kohë të vrullshme, zemrat e njerëzve zienin, nuk pyesnin fare se ku do të shkonin, vetëm donin veprim. Por në kohën që vargu ynë, i grave, doli poshtë në rrugë, nga Qytet Studenti u dëgjuan thirrjet: Erdhi, erdhi!”, rrëfen Bulku fundin aksidental të tentativës së parë për të çuar në drejtim të televizionit shtetëror një grup protestuesish me pamje të brishtë. Artistja dhe grupi i grave kthehen mbrapsht duke menduar se më në fund shteti i kishte pranuar kërkesat e studentëve, por gjithçka kishte qenë një keqkuptim.
Momenti i artistes
Keqkuptimi kishte ardhur me mbërritjen në Qytetin Studenti të grupeve të punëtorëve të sindikatave. Krerët i kishin bindur punëtorët të linin punën dhe momenti i bashkimit të këtyre grupeve me studentët, ishte përjetuar me britma të gëzueshme.
“Ndërsa mua më erdhi keq që na u ndërpre iniciativa për të shkuar te televizioni. Ndërkohë ata të uzinës ‘Traktori’, mos gaboj, montuan një qendër zëri në katin e fundit të godinës, që lartohej përballë sallës ku ishin studentët e grevës. Policia e rrethoi në sekondë vendin me qëllim që të bllokonte qendrën e zërit, por edhe vetë sindikalistët ishte e vështirë t’i bindje që të merrje për pak çaste mikrofonin. Sepse mu bë fiksim, doja ta nxirrja nga vetja, doja t’u bëja ftesë të gjitha grave të pranishme për të shkuar drejt televizionit, doja t’u thosha: ta bëjmë këtë, të shkojmë atje dhe të protestojmë që të ndihmonim sadopak në zgjidhjen e fatit të studentëve grevistë. Më futën vetëm mua. Sepse ne gratë jemi pak më të imunizuara...”
Artistja e njohur rrëfen se si ka kaluar nëpër këmbët e policëve, të cilët i luste të mos e ndalonin. Por edhe ata nuk e kishin ndalur, sepse kohët kishin ndryshuar. Edhe vetë policët e kishin kuptuar se duhet të ishin paksa më ndryshe në veprimet e tyre, paksa më lëshues.
“Kujtoj se u thashë policëve që të mos ndërhynin të hiqnin qendrën e zërit edhe për pak sekonda të tjera, që të kisha mundësi të flisja edhe unë. Një tjetër polic u afrua ndërkohë dhe zgjati duart drejt mikrofonit. Ishin sekondat e fundit. Por edhe nuk ishte e lehtë të flisje para një grumbulli aq të madh njerëzish”, rrëfen artistja.
Ishte momenti kur spikeri i Radio Tiranës, Napoleon Roshi, do të komunikonte për gjithë shqiptarët: “Dëgjohet një zë i bukur i aktores Rajmonda Bulku, që bën thirrje në emër të grave, nënave, motrave, për të shkuar e për të protestuar para televizionit e Presidencës...”.
“Unë duhet të kem përsëritur të njëjtën frazë dy herë. Se nga emocionet nuk mbaj mend saktësisht se çfarë kam thënë. Ndërkohë policët u futën brenda në dhomën ku gjendej qendra e zërit. Por fjalët e mia kishin mjaftuar. Si me magji, që të gjithë njerëzit nisën të lëviznin drejt qendrës së qytetit. Qyteti Studenti u boshatis në pak minuta. Patëm edhe një moment pasigurie. Menduam se meqë të gjithë po largoheshin, policisë mund t’i jepej shansi të ndërhynte te studentët e grevës. Ndaj pyeta ca burra se përse po niseshin edhe ata në drejtim të qendrës së qytetit. Njëri m’u përgjigj se në thirrjen e dytë unë kisha thënë se duhet të shkonim ‘të gjithë’ drejt televizionit e Presidencës”, shpjegon me të njëjtën tingull të zërit, pa u nxituar, duke gërmuar me nge në kujtesë, artistja e njohur.
Rrëzimi i monumentit
“Kur zbritëm poshtë, te Liceu Artistik, vumë re se policia i mbante ende të bllokuara rrugët që të nxirrnin në shëtitore. Aty u dëgjuan të shtëna. Kujdes se do ju vrasin, u dëgjua një zë pranë nesh. Një mikja dhe kolegia ime në teatër më tha se kishte dëgjuar ndërkohë dy civilë tek flisnin me zë të ulët për të na futur në një makinë e për të na marrë me vete. Por unë sepse nuk kisha frikë. Sepse e gjithë qenia ime ishte tjetërsuar. Janë momente të rralla të njeriut, kur ai futet në një gjendje mes jetës normale dhe heroikës. E gjithë qenia merr përmasa të tjera, kur gjithkush, çdo i huaj, që të gjendet pranë e konsideron si mik, tek i cili mund të mbështetesh. Sepse bëhej fjalë për një qëllim të madh. Sepse masa e madhe e njerëzve të mbushte me guxim. Sepse ajo masë aq e shumtë patjetër që do të bënte një veprim, një veprim që të shënonte një ndryshim në faqen e një historie që kishte nisur të shkruhej ndërkohë”, flet artistja, pa u munduar në asnjë rast të përdorë gjestet me duar si ndihmë për përçimin e historisë që rrëfen. Shteti ndërkohë i kishte përforcuar shërbimet e policisë pranë televizionit të vetëm, Kryeministrisë e Presidencës. Madje nëpër radiot e policisë, qarkullonte urdhri i krijimit të mundësive që grumbujt e njerëzve të largoheshin sa më larg këtyre pozicioneve, qoftë të dërgoheshin drejt qendrës, vetëm e vetëm që t’i largoheshin Bllokut e institucioneve më të rëndësishme të shtetit. Gjithsesi gjendja në afërsi të televizionit ishte e acaruar. Policia kishte rezistuar, një pjesë kishte braktisur pozicionet duke u larguar. Një breshëri automatiku, që rrëzon përtokë degë pemësh, e lëshuar nga një oficer i Gardës i sjell të gjithë në botën reale.
“Kujtoj se edhe unë kam bindur policë që të largoheshin. Duke u thënë se të gjithë ishim vëllezër e motra dhe se nuk duhet të urrenim e godisnim njëri-tjetrin. Disa edhe më dëgjuan. Ulën kokat e tytat e armëve dhe u larguan. Por kam takuar edhe nga ata qytetarë, të cilët të përgjakur nga shkopinjtë e dhuna e policisë, në tërheqje e sipër, në panik, më kaluan pranë duke më hedhur mua fajin. Duke më thënë: Këtë doje ti?”, dëshmon Bulku ndoshta momentin më të vështirë të gjithë asaj dite.
Artistja e njohur rrëfen se atë ditë nuk arriti të shkonte në shesh. Atje ku kishte nisur ndërkohë beteja për rrëzimin e shtatores së diktatorit. “Vetëm se gjatë gjithë kohës ndjeja nga pas vështrimin e dy civilëve, të njëjtëve që kolegia ime i kishte dëgjuar të shqiptonin atë dëshirën për të na rrëmbyer e futur në makinë. Këtë vështrim kisha në shpinë edhe kur lajmi i rrëzimit të monumentit mori dhe-në. Sikur të kishte mbërritur fundi i botës, dy meshkujt panë njëri-tjetrin në sy si të mekur, fytyrat ju bënë të kuqe flakë, ndërsa ai më i frikshmi mu afrua të më sqarojë se nuk kishin asgjë me mua, se nuk donte që të keqkuptohesha e të tjera shfajësime. Si ai fëmija që zihet në faj, apo si një luftëtar i çarmatosur nga fati përballë kundërshtarit, që i ka vënë ndërkohë majën e shpatës në fyt. Se kam parë më kurrë atë fytyrë. E rrëfeva këtë pjesë vetëm për të ilustruar impaktin e rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës ndër njerëzit që vazhdonin t’i shërbenin regjimit, apo ishin pjesë biologjike e tij”, përmbyll këtë moment të rrëfimin Bulku.
Heroina
Në kohën kur i gjithë vendi kishte mbajtur frymën, ishte rrëqethur, troshitur e shkundur nga rrënjët, vetëm duke parë pamjet në televizion, kur pjesa e vuajtur e tij e ndiente zemrën të gufuar, kur përfaqësuesit e nomenklaturës së vjetër kishin dalë nga shtëpitë e vrimat me duart në kokë e mendjen të lemerisur, kur në Tiranë populli, po tërhiqte pjesën më të madhe të shtatores së Enver Hoxhës në drejtim të grevistëve në Qytetin Studenti, artistja Bulku kishte marrë të njëjtën udhë, për t’u kthyer edhe ajo në vendin nga ku vetëm pak orë më parë i kishte nisur të gjithë, i kishte ndezur të gjithë.
“Thanë se turmat vepruan gabim duke shkatërruar statujën, duke e tërhequr zvarrë atë. Por për mua ata njerëz e tërhoqën zvarrë monumentin vetëm sepse kishin mbetur pa ja bërë një të keqe Enver Hoxhës sa qe gjallë. Pra tërheqja zvarrë ishte një hakmarrje për vuajtjet e gjithë një populli nga krimet e një diktatori. Një hakmarrje ndaj statujës në mungesë të njeriut të gjallë. Sepse unë jam e sigurt se po të bëhej fjalë për monumentin e Mehmet Shehut, apo Ramiz Alisë, askush nuk do sillej në atë mënyrë. Ndërsa rrëzimin e shtatores për mua atë ditë e provokuan vetë pushtetarët. Ata i larguan njerëzit nga blloku, ku kishin familjet e tyre dhe nga televizioni, media e tyre mbrojtëse, duke i drejtuar në shesh. Sepse rrëzimi i një statuje i dëmtonte më pak, ishte më larg llogarive të humbjeve të mëdha. Por nuk e kuptuan kurrë në kohë impaktin që kjo do të krijonte në popull. Për fat të mirë televizioni dhe radioja e dhanë drejtpërdrejt rrëzimin, duke bërë që të gjithë shqiptarët, për herë të parë pas 45 vitesh, të ndiheshin ndryshe. Me një fjalë ajo që ndodhi atë ditë, për mua ishte krejt spontane, me një përjashtim ama, sepse investimi ynë nuk ishte aspak spontan. Këto janë konkluzionet e mia, të përcjella në mendje dhe të skalitura mirë prej vitesh për këtë ngjarje”, nxjerr nga vetja artistja duke kundruar pa asnjë shprehje të lexueshme syprinën e lëngut ende të pa konsumuar në filxhanin e saj të çajit.
Në orën 4 të pasdites së të njëjtës dite, Rajmonda tregon se me të mbërritur në Qytetin Studenti, ishte ndier si njeriu më i lumtur në botë.
“Sa më shihnin, njerëz të ndryshëm vinin e më puthnin duart. Më thoshin: ‘Ti e bëre, ti je heroinë’. Nuk kam për t’i harruar edhe ca gra të moshuara, të rreshkura nga jeta, por që atë ditë u dukej vetja sikur të kishin rilindur...”
Neser do te lexoni
Rrëfimi i një prej ish-drejtuesve të Policisë së Tiranës për 20 shkurtin 1991.
“Si na urdhëruan të ruanim Bllokun, Televizionin, Presidencën e Kryeministrinë dhe të çonim turmat drejt qendrës së qytetit”
“Njerëzit nuk kishin plan paraprak për rrëzimin e monumentit, por ideja u erdhi në momentin kur panë policinë ta ruante”