E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushtetuesja rrëzon nenin që kthen gjobën e pashlyer në burg

SHKRUAN: Leonard Bakillari 02-06-2011 10:42

Tiranë- Gjykata Kushtetuese ka vendosur dje të shfuqizojë një pikë të rëndësishme të Kodit Penal, pasi argumentet treguan se ky nen diskriminon shtetasit në mënyrë të padrejtë. Iniciativa për këtë kërkesë është marrë nga Gjykata e Tiranës, e cila pas qindra vendimesh të dhëna për konvertimin e dënimeve nga gjobë në burg, ka vendosur t’i kërkojë mendim Gjykatës Kushtetuese. Kërkesa është depozituar në maj të vitit të shkuar, sipas të cilit shkalla e parë kërkon shfuqizimin e pikës tetë të nenit 34 të Kodit Penal, i cili parashikon konvertimin e gjobës së pashlyer në burg. Gjatë shqyrtimit të çështjes në Gjykatën Kushtetuese, të pranishëm kanë qenë përfaqësues të Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave, të cilët kanë kundërshtuar këtë kërkesë, madje duke pretenduar se gjykata e shkallës së parë nuk legjitimohet si palë. “Dënimet me burgim dhe me gjobë janë të barazvlefshme në lidhje me riedukimin e autorit të veprës” - është shprehur përfaqësuesja e Këshillit të Ministrave gjatë shqyrtimit të kësaj çështjeje. Në argumentet e tyre, përfaqësuesit e Kuvendit kanë deklaruar para kushtetueses se nuk cenohet neni 18 i Kushtetutës, sepse konvertimi i dënimit kryhet pasi vetë shtetasi ka shkelur rregullat dhe zbatimi i ligjit penal është i domosdoshëm. Por në vendimin e saj të argumentuar imtësisht, Gjykata Kushtetuese thotë se pika që parashikon konvertimin e dënimit nga gjobë në burg duhet hequr nga Kodi Penal, pasi bie ndesh me Kushtetutën e Shqipërisë, duke sjellë kështu diskriminimin e tyre për shkak të gjendjes ekonomike. “Gjykata sheh me vend të analizojë nëse konvertimi i dënimit me gjobë në dënim me burgim, kur autori është në pamundësi për të shlyer gjobën, cenon standardin e barazisë së shtetasve para ligjit dhe, në këtë kuptim, është në përputhje me këtë funksion riedukativ, që duhet të luajë sanksioni penal” - thuhet në hyrje të pjesës argumentuese të vendimit, i cili shfuqizon pikën tetë të nenit 34 të Kodit Penal. “Nëse koncepti i lirisë vetjake dhe vetë liria vetjake janë të shpërndara në mënyrë të njëtrajtshme te shtetasit, që nga momenti i lindjes së tyre, nuk mund të thuhet e njëjta gjë edhe për mjetet financiare që disponon gjithsecili, të cilat janë të shpërndara në mënyrë tejet të ndryshme nga një person te tjetri” - argumenton Gjykata Kushtetuese. Më tej, në vendim thuhet se dënimi me gjobë lindi si një mënyrë për të shmangur dënimin me burgim, pasi konsiderohej si më e drejtë që personi të mund të paguante një shumë të hollash për vepra që kishin një rrezikshmëri të ulët shoqërore, pa pasur nevojë që të privohej nga liria. Sipas Kushtetueses, thuhet se konvertimi i dënimit me gjobë në dënim me burg bie ndesh me frymën kushtetuese, për shkak se këto dy dënime janë diametralisht të kundërta. “Gjykata konsideron se vetë procesi i konvertimit të dënimit me gjobë në dënim me burgim, pa hetuar më parë kushtet ekonomike të të dënuarit dhe më pas pamundësinë e pagimit të gjobës, nuk përputhet me frymën e Kushtetutës, pasi dënimi me gjobë është diametralisht i kundërt me atë me burgim dhe çdo konvertim i njëanshëm nuk mund të jetë i përpjesëtuar” - thuhet në vendimin e Gjykatës. Po ashtu, një vendim i tillë gjyqësor kufizon kompetencat e gjykatësit, duke e kthyer atë në një person që jep mekanikisht vendime, por pa mundur të hetojë arsyet, përse një i dënuar me gjobë nuk ka mundur të shlyejë dënimin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›