E Diel, 1 Nëntor 2026

Nafta “virxhin”, Prokuroria sekuestron 10 kamionë

Tiranë- Hetimi pasuror ndaj të dyshuarve për mashtrim dhe kontrabandë me naftën virxhin, duket se ka nxjerrë “duarbosh” Prokurorinë. Nga përgjigja e institucioneve që merren me administrimin e pasurive, apo edhe bankat, dy të pandehurit kryesorë për mashtrimin me virxhinin rezultojnë të “varfër” dhe me shuma të papërfillshme në llogaritë e tyre bankare. Të vetmet prona që ka mundur të sekuestrojë prokuroria, në kuadër të hetimeve për pastrim të produkteve të veprës penale janë 10 kamionë e bote, që rezultojnë në emër të kompanisë “Euroil”, në pronësi të biznesmenit Hajri Elezaj, i cili ndodhet në qeli si organizator i skemës së mashtrimit. Menjëherë pas përgjigjes së Drejtorisë së Transportit Rrugor, që konfirmonte pronësinë e 10 kamionëve apo mjeteve të tjera të tonazhit të rëndë, organi i akuzës ka urdhëruar sekuestrimin e tyre deri në përfundimin e hetimeve për këtë çështje. Sipas burimeve të rezervuara, mësohet se kjo është pasuria e vetme që prokuroria ka mundur të sekuestrojë, të paktën deri në këtë fazë të hetimit, edhe pse dëmi i shkaktuar nga skema e mashtrimit me naftën virxhin ka një vlerë disa herë më të lartë. Gjithashtu, organi i akuzës ka kryer verifikime edhe për bizneset e tjera që disponojnë të arrestuarit, por pjesa më e madhe e tyre rezultojnë të jenë krijuar para se të niste i ashtuquajturi eksport i naftës virxhin, e cila sipas prokurorisë është përzier me benzinën dhe më pas është rihedhur në tregun e karburanteve. Për këtë çështje, prokuroria ka administruar dëshmitë e të paktën 80 personave që kanë dijeni apo informacione për lëvizjen e naftës virxhin, e cila pavarësisht se deklarohej për eksport ka qarkulluar brenda vendit në formën e karburantit. Dëshmi për këtë çështje kanë dhënë edhe shoferët e kompanisë “Fisheku” në pronësi të biznesmenit Iljas Fisheku, të cilët u liruan nga Gjykata e Tiranës pak javë më parë. Në deklarimet e tyre, punonjësit e kompanisë kanë pohuar se nafta virxhin që ata kanë transportuar nuk ka shkuar në Vlorë, ashtu siç është deklaruar, por në Durrës. Këto deklarime përputhen edhe me të dhënat e siguruara nga hetimet, të cilat hedhin dyshime të forta se nafta virxhin është përzierë me benzinën, në depozitat që biznesmeni Hajri Elezaj kishte marrë me qira në Durrës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›