Punonjësi i gjendjes civile, certifikatë false për vajzën këshilltare komune
BURREL- Fushata e fundit zgjedhore ka lënë pasoja në disa njësi vendore. Kandidatë për kryetarë komune dhe subjekte politike kanë konstatuar shkelje të Kodit Zgjedhor dhe i janë drejtuar prokurorisë për të hetuar shkeljet e ligjit nga punonjësit e administratës shtetërore. Kandidatë për kryetarë komune në Derjan të Matit kanë kallëzuar në organin e akuzës shefin e gjendjes civile të komunave Macukull e Derjan, Adem Doda. Mësohet se ai ka plotësuar një certifikatë false për vajzën e tij, për ta përfshirë në listat e këshilltarëve të mazhorancës, ka hequr nga listat paraprake të votuesve disa zgjedhës pa pëlqimin e tyre, si dhe nuk ka përputhje mes listave paraprake dhe atyre përfundimtare.
Hetimi
Burime të sigurta informacioni sqarojnë për “Mapo”-n se oficerët e policisë gjyqësore Mat kanë nisur hetimet dhe kanë gati dosjen për gjykatë. Shkelja e parë ligjore lidhet me plotësimin nga ana e shefit të gjendjes civile të një certifikate false për vajzën e tij, Aurora Doda, me leje banimi në kryeqytet. Ky falsifikim është gjetur nga oficerët e policisë gjyqësore gjatë këqyrjes në dokumentacion të kandidatëve për këshilltarë të PD-së në komunën e Derjanit. Nga hetimet ka rezultuar se mësuesja Doda ishte votuese në Tiranë, ndërkohë babai, anëtar i forumeve të PD-së, e ka propozuar vajzën për anëtare të këshillit komunal. Por sipas Kodit Zgjedhor çdo kandidat për kryetar komune apo këshilltar duhet të pajisej nga gjendja civile me certifikatë personale, nga e cila vërtetohej se banor i cilës njësi vendore është. Doda e ka plotësuar dokumentin fals për vajzën, me idenë se askush nuk do ta kapte këtë shkelje të rëndë ligjore. Burime brenda mazhorancës njoftuan kandidatët për kryetarë komune se Adem Doda kishte plotësuar certifikatë false për vajzën e tij, e cila nuk rezultonte në listat e votuesve të kësaj komune. Ky dokument është gjetur dhe sekuestruar nga ana e prokurorisë së Matit.
Padia
Në padinë e dorëzuar në organin e akuzës është konstatuar se 13 votues janë lëvizur nga një komunë në tjetrën, pa kërkesën e tyre në gjendjen civile të Derjan-Macukullit. Tri familje të fisit Vata, të cilat ishin të regjistruara në listat paraprake të votuesve në qendrën e fshatit Dukagjin, Komuna Derjan, janë lëvizur vetëm pak ditë para zgjedhjeve në komunën Macukull. Pasi është kryer kjo shkelje ligjore, janë imponuar familjarët të nënshkruajnë një kërkesë për transferim nga një komunë në tjetrën. Organi i akuzës pasi ka sekuestruar listat paraprake dhe ato përfundimtare ka gjetur se kishte ndryshime të rëndësishme mes këtyre listave. Shkelja e tretë ligjore konsiston në faktin se në qendrën e votimit Barbullej, të Komunës Derjan, në listat e shpallura në vende publike kishte një votues më pak sesa në listat përfundimtare, me të cilat është votuar me 8 maj. Edhe ky fakt është kopsitur nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Mat. Mbi Dodën rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve zyrtarë. Ndërkaq banorë të komunës janë shprehur se prej vitesh paguajnë dyfishin ose trefishin e vlerës për çdo certifikatë që marrin në Zyrën e Gjendjes Civile Derjan.