E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama refuzon të takojë reporterët e KiE-së



Reporterët e Këshillit të Evropës, David Wilshire dhe Jako Lakso, nuk kanë mundur të takohen dje me shefin e opozitës, për të marrë nga ai opinionet dhe qëndrimin për situatën politike në vend. Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste, i ka lënë miqtë nga Evropa në derën e shtëpisë duke mos i takuar. Burime të besueshme nga selia e PS-së thanë për “standard” se Rama ka refuzuar të shkojë në takimin e planifikuar me dy përfaqësuesit e KiE-së, duke deleguar në këtë takim të rëndësishëm dy deputetë ë rinj të partisë, por që s’kanë asnjë funksion partiak, Ditmir Bushatin dhe Eduart Shalsin. Arsyeja që u është thënë zyrtarisht dy reporterëve është se Rama ndodhet jashtë vendit për një vizitë pune, por në të vërtetë askush në PS nuk e konfirmon faktin që kreu i partisë ka udhëtuar dje jashtë vendit. Një gënjeshtër kjo që mund të dukej e besueshme për dy reporterët e KiE-së, që ata të mos ndihen krejt të fyer nga mungesa e vëmendjes nga ana e opozitës. Por për fat të keq duket se mungesa e vëmendjes ka qenë më e madhe se aq, sepse përveç Ramës, ata ka refuzuar t’i presë dhe personi më i përshtatshëm pas Ramës në këtë parti, që është sekretarja për çështjet ndërkombëtare, Arta Dade. Në vend të saj dy deputetët e rinj duket se kanë qenë një zgjidhje e rastësishme, për të mos e dështuar krejtësisht takimin e planifikuar. Por refuzimi i Ramës nuk ka qenë aspak i rastësishëm, qoftë dhe për ndonjë problem personal që mund të ketë pasur. Ai është një refuzim i menduar dhe vjen si veprim për të justifikuar qëndrimet e mbajtura nga kreu i opozitës ndaj reagimeve dhe qëndrimeve të ndërkombëtarëve për bojkotin e Kuvendit e të zgjedhjeve vendore të pjesshme nga ana e tij. Jo më larg se para dy ditësh një reagim i tillë erdhi nga përfaqësues të Këshillit të Evropës. Presidenti i Kongresit Vendor të KiE, Ian Micallef, tha se “opozita ka të gjitha të drejtat dhe në rast se kjo e drejtë ekziston, të kthejë në çështje gjyqësore e ta lërë gjykatën të vendosë, sepse në një vend demokratik duhet të zbatohet pushteti i ligjit dhe për Këshillin e Evropës, zbatimi i ligjit është një vlerë thelbësore”. Sipas tij, palët duhet të dialogojnë më tej për të pasur një bashkëpunim politik mes tyre, duke iu larguar rrugës së bojkotit. Këtë qëndrim e kanë mbajtur në koherencë dhe përfaqësues të OSBE-së, të cilët në raportin e tyre për zgjedhjet hodhën poshtë çdo pretendim të opozitës për manipulim të rezultatit të zgjedhjeve dhe i kërkuar të bëjë opozitë konstruktive. Por përpos kësaj linje të ndërkombëtarëve, Rama vazhdon të thotë se i mirëkupton këto deklarata, por u kujton atyre se si i bëjnë zgjedhjet në shtëpitë e tyre, duke pretenduar se bojkotin dhe protestat po i bën në mënyrë që të realizohen zgjedhje me standarde evropiane në të ardhmen. Rama dhe drejtuesit e tjerë të PS-së kanë bërë veshin shurdh ndaj këshillave të miqve ndërkombëtarë, në të kundërt ka pasur raste kur i kanë sulmuar ata. Nënpresidenti i asamblesë parlamentare të OSBE-së, Grusruck, u akuzua nga PS si mik i Kryeministrit Berisha dhe si i lidhur me afera ekonomike në vendin tonë vetëm sepse vlerësoi procesin zgjedhor të 28 qershorit.

Ndërkaq reporterët e KiE-së, David Wilshire dhe Jako Lakso, dje u takuan me disa ministra, me krerët e Gjykatës Kushtetuese dhe me kryeparlamentaren Jozefina Topalli. Në mënyrë të veçantë ata u interesuan për ligjin e dosjeve, i cili u bllokua nga Gjykata Kushtetuese si antikushtetues.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›