Statusi i deputetit, PD ndjek këshillën e Berishës
Maxhoranca kontestoi dje nismën e disa deputetëve për rritjen e privilegjeve të tyre për ata që gëzojnë gradat shkencore profesor apo doktor. Nisma e deputetëve parashikon pasqyrim në trajtimin financiar të deputetit të shpërblimit për kualifikimet dhe gradat shkencore që ia ka marrë në profesionin e tij përpara se të bëhet deputet. Por menjëherë gjatë shqyrtimit të kësaj çështje, kryetari i grupit të PD-së, Astrit Patozi, kërkoi mosvotimin e këtij projektligji, duke u shprehur se ai nuk mund të jetë pjesë e privilegjeve të të zgjedhurve. Ndërsa kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, e cilësoi jo të drejtë qëndrimin e mbajtur nga ana e Kryeministrit Sali Berisha për statusin e deputetit, duke theksuar se sulmet e tij janë të pabaza. Duket se pikërisht qëndrimi i Kryeministrit Berisha për trajtimin e deputetëve ka bërë që maxhoranca të kërkojë tërheqjen e saj nga nisma për dhënien e shpërblimeve të atyre përfaqësuesve të popullit që kanë grada shkencore. Kryeministri në mbledhjen e fundit të qeverisë akuzoi deputetët se marrin shuma të konsiderueshme. "Situata e Parlamentit shqiptar është e papajtueshme me standardet evropiane. Nëse ne mbajmë deputetë me makina dhe shoferë në kurriz të taksapaguesve, mos mendoni se bindim kënd me vullnetin e madh për të luftuar me tolerancë zero korrupsionin. Korrupsioni është abuzim me fondet. Ligji i statusit të deputetit është i bazuar në 'babëzinë'. Nuk ka vend në botë që deputeti të marrë 1.5 herë më shumë se Kryeministri, në dieta e të tjera", deklaroi Berisha.