E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi rrëzon dekretet e Topit

 

BLEDAR HOTI

Kuvendi rrëzon dy dekretet e Presidentit Bamir Topi për dy anëtarët e Autoritetit të Konkurrencës, Burhan Malevi dhe Engjëll Skreli. Maxhoranca i ka dhënë goditjen e radhës Presidentit në lidhje me dy dekretet për anëtar të këtij institucioni. Në votimin e dy kandidaturave është parë mos dhënia e konsensusit politik të të dy kampeve politike, edhe pse dy kandidaturat e dekretuara nga kreu i shtetit përfaqësojnë opozitën dhe pozitën. Kandidatura e parë, Burhan Malevit, i cili është më pranë PD-së, në këtë votim të fshehtë ka marrë 39 vota pro, ndërsa kundër votat e 57 deputetëve. Për këtë kandidaturë kanë abstenuar 12 deputetë. Kjo ka bërë që kandidatura të rrëzohet. Më pas kryeparlamentarja Jozefina Topalli hodhi për votim kandidaturën tjetër të Presidentit, atë të Engjëll Skrelit. Në përfundim të votimit të fshehtë elektronik, rezultoi që pro Skrelit të votonin 52 deputetë, ndërsa kundër 43 deputetë. Ndërsa kanë abstenuar 15 deputetë. Fillimisht Kryetarja e Kuvendit, Topalli, e shpalli Skrelin fitues, duke tentuar mbylljen e seancës, por reagimi i deputetëve bëri që të rishikohej procesi i votimit. Për deputetët Dokle të PS-së, Madhi të PR-së nuk duhet të ketë një shpallje të votimit, pasi në bazë të Rregullores, Skreli nuk ka 50 plus një të votave nga të gjithë që kanë votuar në seancë. Për këtë ata sollën si shembull dhe procedurën e votimit të kandidaturës së Zamir Podës për në Gjykatën e Lartë, i cili edhe pse fillimisht u shpall fitues me 70 vota pro, sekretariati i procedurave të votimit e rrëzoi atë. Kjo, pasi numri i votave të pavlefshme dhe abstenuese ishte më i madh se votave pro të dekretit të Presidentit për anëtarë të Gjykatës së Lartë, Poda. Pas kësaj përplasjeje, kryetarja e Kuvendit vendosi që kandidatura fituese do të shpallet nga sekretari për Procedurat dhe Votimet, që funksionon pranë Byrosë së Kuvendit. Ky sekretariat do të shqyrtojë nëse votimi i Skrelit është realizuar mbi bazën e Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›