E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Kushtetutën e inateve e bëmë Perëndimore"

Kryeministri Sali Berisha vlerësoi të mërkurën, gjatë mbledhjes së qeverisë, se "votimi në Kuvend i paketës së ndryshimeve kushtetuese zgjeroi dimensionin perëndimor të Republikës tonë Parlamentare, pasi Shqipëria heq përfundimisht dorë nga Kushtetuta e ‘inateve‘ dhe kalon në Kushtetutën Perëndimore".

Sipas tij, "deputetët në Kuvendin e Shqipërisë në themel dhe në shtyllat kryesore të shtetit, firmosën për Kushtetutën më moderne që ka njohur vendi, pasi kjo ishte reformë rrënjësore".

Duke u ndalur konkretisht në risitë që sjellin këto ndryshime në Kushtetutën e vendit, Kryeministri Berisha u shpreh, se "tempulli i demokracisë, Kuvendi i ardhshëm i Shqipërisë nuk del më nga një proces dhe një sistem, i cili nuk i jepte sovranit të gjithë përfaqësimin që ai meritonte, pasi tani çdo votë e tij pavarësisht nga ngjyrat, valorizohet në mandatin e përfaqësimit".

Kreu i qeverisë vlerësoi përcaktimin me Kushtetutë të zgjedhjes së Presidentit me 50 për qind +1 të votave, si dhe garantoi se "nuk është prekur asnjë kompetencë, përkundrazi, shtylla kryesore e stabilitetit të shtetit, Presidenti i Republikës, është vendosur në themelet më të sigurta, siç e kanë shumë vende evropiane". "Nga viti ‘92 deri më sot, institucionet e vendit kanë njohur transformimin më të thellë. Reformat do të vazhdojnë dhe kjo është përgjigja më e shkëlqyer që ne i dhamë ftesës për anëtarësim në NATO. Ne do të vendosim germë për germë standardet perëndimore në këtë vend dhe ky vullnet që ekziston midis mazhorancës dhe opozitës, do ta bëjë Shqipërinë më demokratike, më të lirë, më perëndimore dhe rrugën e saj më të lehtë", deklaroi në përfundim të fjalës së tij Kryeministri Berisha.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›