Meta: Ankim në Kushtetuese dhe protesta
Ilir Meta premton lobing të fuqishëm me qëllim që të kundërshtohen ndryshimet e fundit në Kushtetutë. Nisma e parë ka të bëjë me hartimin e një ankese në Gjykatën Kushtetuese në bashkëpunim me deputetët "rebelë" të Partisë Demokratike. Hapi i dytë është përgatitja për një protestë të madhe popullore në sheshin "Skënderbej". Gjatë vizitës së djeshme në Elbasan, kreu i LSI-së tha se "puçi më i fundit i realizuar në Kuvendin e Shqipërisë nga dyshja Berisha-Rama, që sfidoi dhe dhunoi Kushtetutën e shqiptarëve të votuar në një referendum mbarë popullor më 1994 dhe të rivotuar në një mënyrë jo vetëm antidemokratike por edhe korruptive, do të marrë përgjigjen e merituar". Ai deklaroi mospajtimin me votën tërësisht të pandershme, të manipuluar dhe nën presion të 115 deputetëve, kur është dhunuar vota e 2 milionë shqiptarëve. Sipas Metës, kanë qenë 1 milion shqiptarë që kanë rrëzuar në vitin 1994 referendumin për të arritur atë fuqi dhe atë pushtet mbretëror që donte Sali Berisha dhe që e ka marrë sot nga Edi Rama, duke dhunuar 1 milion vota të tjera nga populli shqiptar për Kushtetutën. "115 vota në Kuvend, vijoi Meta, nuk mund të sfidojnë 2 milionë vota të shqiptarëve, ne jemi të bindur se ajo që ka ndodhur në Kuvendin e Shqipërisë do të marrë ndëshkimin e merituar". Meta tregoi vendosmëri për të rikthyer republikën parlamentare që shqiptarët të jenë zotë të fatit të tyre dhe të mos jenë peng e as dy apo tre kryetarëve. "Jemi të vendosur që çdo shqiptar të rrisë fëmijët e vet me dinjitet në një vend kur të gjithë janë të barabartë", u shpreh Meta. Pyetjes së bërë nga gazeta "Shqip", se cilat do të jenë hapat që do të ndërmarrë LSI-ja, Meta ju përgjigj se "ne do të tregojmë shumë qartë se ‘Republika Rama-Berisha‘ është në minorancë, nuk është republika që mbështet populli shqiptar dhe përgjigja do të jetë mbarëpopullore". Meta premtoi se do të shihen të gjitha rrugët e tjera ligjore e procedurale sot, nesër dhe kudo. "Problemi i sistemit zgjedhor, shtoi ai, është problem sekondar, me këtë që ka ndodhur me Kushtetutën është problemi më i madh për t‘u zgjidhur në këtë vend. Sakaq nga kryeqyteti, lidershipi i Partisë Socialiste i është përgjigjur Metës përmes deputetit Taulant Balla. Në një deklarim për mediat, Balla bëri të ditur se "LSI-ja kërkon të zhvillojë protesta vetëm për karrigen e Ilir Metës. Lufta që po bën Meta është vetëm për karrigen e tij, jo për interesat e shqiptarëve". Ndër të tjera, deputeti i PS-së, Balla, nënvizon se mbështetja për Metën është një oksigjen për Berishën, ndërkohë që vetë ai ka mbetur peng i mllefit anti PS.