Pashk Ujka: Ndoka ka bërë universitetin pa pasur shkollë të mesme
Nis sulmi brenda PDK-së kundër kryetarit Nard Ndoka. Pas përjashtimit nga drejtimi i grupit parlamentar demokristian, Pashk Ujka ka nxjerrë në adresë të Ndokës 1001 të zeza, që sipas tij fshihen pas CV së ministrit të Shëndetësisë. "Të shohësh se në ç‘ministër Shëndetësie jemi katandisur, për të cilin dyshojnë se ka të lartën, por jo të mesmen", është shprehur Ujka dje, duke iu referuar kryetarit të demokristianëve. Acarimi i Ujkës ka shënuar kulmin pas shkarkimit të tij në mënyrë të fshehtë nga Ndoka. Gjithsesi, deklarata e ish-kryetarit të grupit parlamentar demokristian është paksa e rëndë, duke pasur parasysh faktin se një anëtar kabineti i qeverisë "Berisha" pa një diplomë të shkollës së lartë do të ishte vërtetë një skandal. Në sqarim të situatës, ministrit Ndoka nuk i mbetet gjë tjetër veçse të bëjë publike diplomën e shkollës së tij të lartë për të saktësuar apo për të rrëzuar deklaratat e hedhura në adresë të tij. Kërkesa për shkarkimin e Ujkës dhe emërimin e Ndue Shpanit në vend të tij është paraqitur në zyrën e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topallit, pa iu bërë i ditur më parë ky qëndrim i PDK-së, Pashk Ujkës. Ujërat brenda partisë aleate të Berishës janë trazuar fuqishëm ditët e fundit. Vota e "heshtur" e kreut të demokristianëve gjatë votimit të ndryshimeve kushtetuese, ku Ndoka nuk ka marrë pjesë në votim, tregon një marrëdhënie të ngrirë mes kreut të qeverisë dhe aleatit të tij të Partisë Demokristiane. Pavarësisht deklaratave të Ujkës, reagimi i ministrit Ndoka pritet të bëhet menjëherë sapo ai të kthehet nga turi i vizitave që ka nisur në Skoci. Duket se gjithë këtë trazirë të ndodhur brenda PDK-së, kryedemokristiani Ndoka e ka marrë shumë qetë, duke mos e vënë ujin në zjarr lidhur me shkërmoqjen që po i bëhet nga dita në ditë partisë së tij. Pas largimit të Ujkës, ka dalë publikisht kundër këtij vendimi edhe një nga zv/ministrat e Ndokës, Zef Bushati.