E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushti i PS Dokle: “Nuk ka hetim pa hapur kutitë”

Autori i Lajmit: Redaksia
Partia Socialiste përsërit kushtin e saj për hapjen e kutive të votimit. Pas projektrezolutës së Këshillit të Evropës, selia rozë i rikthehet tezës së saj themelore, transparencës së zgjedhjeve të 28 Qershorit. Deputeti i PS-së, Namik Dokle, ka sqaruar edhe një herë qëndrimin e PS-së, ndërsa ka kundërshtuar deklaratat e bëra nga Partia Demokratike, e cila pranon hetimin e zgjedhjeve, por jo hapjen e kutive të votimit. Ligjvënësi socialist pohon se nuk mund të ketë hetim të plotë, nëse nuk shihen materialet në kutitë e votimit dhe problemet që janë me këto materiale. Duke e konsideruar si absurd këtë qëndrim të demokratëve, Dokle theksoi se kërkesa e PS-së është njëkohësisht dhe kushti i domosdoshëm i vënë nga BE.
Mbështetja e ndërkombëtarëve
“Kërkesa e vazhdueshme e Partisë Socialiste për të hetuar zgjedhjet, përmes një komisioni hetimor parlamentar, që ka për objekt hapjen e kutive, si të vetmen mënyrë për të zbardhur të vërtetën e 28 Qershorit, është bërë tashmë sugjerim i qartë edhe i faktorit ndërkombëtar”, - tha dje deputeti Dokle. Sipas tij, KE sugjeron pikërisht hetimin e zgjedhjeve për të nxjerrë Shqipërinë nga kriza politike, për tu hapur rrugë reformave integruese nëpërmjet dialogut serioz mes institucioneve të vendit dhe me ato ndërkombëtare. Sipas tij, krerët e qeverisë dhe të Partisë Demokratike çdo ditë kanë lëshuar dhe vazhdojnë të lëshojnë frazën absurde se pranojnë çdo lloj hetimi të zgjedhjeve, por jo hapjen e kutive.
Hapja e kutive
Dokle sqaron se nuk mund të ketë hetim pa hapjen e kutive dhe shqyrtimin e të gjithë dokumentacionit zgjedhor që ato përmbajnë. “A mund të ketë hetim të zgjedhjeve pa analizuar regjistrin zgjedhor që përmbajnë kutitë duke e krahasuar atë me regjistrin e gjendjes civile? Absolutisht jo! A mund të ketë hetim të zgjedhjeve pa hapur kutitë, që të analizohet se sa mijëra zgjedhës kanë votuar pa pasaportë e pa kartë identiteti, duke shkelur ligjin? Kurrsesi jo! A mund të ketë hetim të zgjedhjeve pa hapur kutitë që të shikohet nga regjistri i votimit se sa mijëra emigrantë rezultojnë sikur kanë votuar, ndërkohë që nuk kanë qenë në Shqipëri në datën 28 qershor? E pamundur!”, - tha ai. Sipas ligjvënësit socialist, hetimi i zgjedhjeve kërkon analizën e gjithë dokumentacionit që ato kanë në mënyrë që të sqarohet dhe shqetësimi i ndërkombëtarëve se në një të tretën e qendrave të votimit numërimi është bërë keq dhe shumë keq. Ndërkohë ai ka renditur të tjera probleme, që sipas Dokles, ndikuan në votim duke nisur nga presioni ndaj njerëzve gjatë fushatës e në listën e votimit, sidomos në qendrat e vendosura në lokale të militantëve të qeverisë, votimi familjar i imponuar etj. “Prandaj, kur ndërkombëtarët bashkojnë zërin e tyre me opozitën dhe kërkojnë hetimin e zgjedhjeve, menjëherë pa vonesa, kjo bëhet dhe mund të bëhet vetëm nëpërmjet hapjes së kutive”, - tha ai. Dokle sqaroi më tej se nuk mund të flitet për shumicë të opozitës në komisionin hetimor, kur kësaj shumice i mohohet apriori kërkesa për hapjen e kutive! ”Sipas kësaj logjike absurde, do të thotë: zbatoni ligjin jo ashtu siç është, por ashtu siç dua ta shkel unë, gjë që e ka bërë disa herë edhe shumica e qeverisë në KQZ! Ne përsërisim edhe një herë qëndrimin e Partisë Socialiste dhe të grupit të saj parlamentar, se nuk mund të ketë zgjidhje të krizës së rëndë parlamentare pa dialog serioz, se nuk mund të ketë dialog real pa hetimin e plotë të zgjedhjeve dhe nuk mund të ketë hetim të zgjedhjeve pa hapjen e kutive ku të gjithë shqiptarët dhe ndërkombëtarët të shohin me transparencë të plotë të vërtetën e 28 Qershorit”, - përfundoi ai.

Ky lajm është publikuar: 22/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›