Fratini e Zbogar: Hiqni vizat që në qershor
Shefat e diplomacive të Italisë dhe Sllovenisë, në një letër të përbashkët që është firmosur nga disa kolegë të tyre të BE-së kërkojnë heqjen e vizave me Shqipërinë që në muajin qershor. Në një aksion politik lotimi, ministri i Jashtëm i Italisë, Franco Frattini, dhe ai slloven, Samuel Zbogar i kanë dërguar një letër ministrit të Jashtëm spanjoll, Angel Miguel Moratinos, vendi i të cilit mban dhe Presidencën e Bashkimit Europian. Në këtë letër, Frattini e Zbogar kërkojnë marrjen e vendimit për heqjen e vizave në qershor të këtij viti për Shqipërinë dhe për Bosnjën. Letra e Frattinit dhe Zbogarit u është dërguar dhe autoriteteve më të larta të Bashkimit Europian, përfaqësues së lartë për Politikën e Jashtme në BE, Catherine Ashton, komisionerit për zgjerimin, Stefan Fule, dhe komisioneres për çështjet e Brendshme, Sesilia Malmstrom. Por, më e rëndësishme, në nismën e marrë nga ministri italian dhe ai slloven për heqjen e vizave, është dhe mbështetja që kanë gjetur te homologët e tyre të vendeve të Bashkimit Europian. Letra është firmosur nga 10 ministra të tjerë të jashtëm të vendeve të Bashkimit Europian, duke shënuar në këtë mënyrë dhe një rritje të mbështetjes së vendeve të BE-së për procesin e heqjes së vizave. Letra e dërguar për Presidencën spanjolle është firmosur veç Frattinit dhe Zbogar edhe nga ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Balazs; ministri i Jashtëm i Bullgarisë, Nikoaly Mladanov; ministri i Jashtëm i Estonisë, Urnas Pate; zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Maltës, Tonio Borg; ministri i Jashtëm i Polonisë, Radosalv Sikoriki; ministri i Jashtëm Rumanisë, Teodor Baconschi; ministri Plotësues i Jashtëm i Greqisë, Dimistris Droutsas; ministri i Jashtëm i Lituanisë, Andornuis Azubalis; ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajçak, dhe ministri i Qipros, Mausios Kyprianou.
#