Kutitë që mbajnë peng rezultatin përfundimtar
Aristir Lumezi
Rezultati përfundimtar i zgjedhjeve mbahet peng nga disa kuti. Komuna e Bushatit me rreth 22 mijë vota në Shkodër, kutia e Uznovës në Berat me 500 vota, 6 kuti në Rrogozhinë, një kuti në Fushë Kuqe në Laç dhe 5 kuti në Fier, Patoz dhe Lushnjë mbajnë peng deri sot rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.Një nga proceset më të gjatë, pas të cilit do të marrim vesh saktësisht deri në minutën e fundit se kush do të jetë fituesi, i ka futur këto zgjedhje në të parat në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri kur ende nuk dihet fituesi. Për shkak të sistemit proporcional rajonal dhe formulave të ndryshme që përdoren për numërimin e votave, dy grupimet, e majta dhe e djathta ndodhen në rezultat të barabartë, 70 me 70, nëse LSI është e gatshme të bashkëpunojë me koalicionin e PS-së, siç është shprehur para zgjedhjeve. Për herë të parë nuk kemi një fitues me diferencë mandatesh, edhe pse kanë mbetur 170 kuti votimi pa u numëruar deri në këtë orë, nga 4753 kuti në të gjithë vendin. Është pikërisht për këtë arsye rëndësia që marrin këto pak kuti në përcaktimin rezultatit përfundimtar të këtyre zgjedhjeve. Kutia e Uznovës në Berat po mban peng rezultatin në këtë qark, pasi 500 votat që ka kjo kuti mund të ndryshojnë rezultatin në këtë qark. Sipas PS-së shumica e votave të kësaj kutie janë pro PS-së, duke premtuar një lëvizje të lehtë të rezultatit. Vetëm në orët e para të mëngjesit të sotëm, KZAZ e Beratit vendosi që kjo kuti të numërohet në Berat dhe të mos nisej për në KQZ. Numërimi i saj nis sot në orën 10:00. Gjithashtu për në Tiranë do të niset dhe një kuti e bllokuar në Lushnjë, për të cilën do të jetë KQZ-ja që do të marrë një vendim për të. Por ajo që mbetet më problematike në këtë fund procesi delikat të numërimit të votave mbetet komuna e Bushatit, e cila ka rreth 22 mijë vota dhe ku PS-ja pretendon të marrë dhe një deputet në qarkun e Shkodrës. Sipas deputetit socialist Tom Doshi, në këtë komunë ka prezencë të lartë të forcave të policisë, që tregon sipas tij për presion ndaj komisionerëve, ndërsa hodhi akuza për parregullsi në kutitë e numëruara, kur rezultati del dhe me zero në favor të PD-së.