PD, trupë elektorale me bazë të gjerë
Pwr zgjedhjet e 28 qershorit, PD-ja u ofron shqiptarwve, një trupë elektorale më bazë të gjerë. Brenda saj janë politikanët, përfaqësuesit më të spikatur të shoqërisë civile, ekspertë që kanë punuar në Perëndim, por pa lënë mënjanë edhe të rinjtë. Askush nuk do të ndihet i mënjanuar. Janë qëndrestarët e djeshëm dhe njerëzit kryesorë që drejtojnë sot PD-në, por që nuk do të mungojnë dhe prurjet e reja në parti, ashtu siç ndodhi edhe 4 vite më parë, të cilët shumë shpejt u shndërruan në protagonistë për shkak të aftësive intelektuale. Një listë teknike, me bazë partiake, një alternim që pritet t’u sjellë fitoren e dytë demokratëve në zgjedhjet e afërta parlamentare. Një kombinim vlerash që i jep larmi listës së re të kandidatëve të PD-së për deputetë të ardhshëm në Parlamentin e ri. Lista është gjithëpërfshirëse. PD-ja si forca politike që ka kryer reforma dhe hapa të rëndësishëm, me një “trust” të vërtetë, plot vullnet dhe përgjegjësi për një mandat të ri qeverisës, tashmë garon me kapacitete të larta, vizion për të ardhmen përballë një PS-je që vuan mungesën e vizionit për të ardhmen. Burime pranë Kryeministrit bëjnë të ditur se z. Sali Berisha në mënyrë të përditshme po konsultohet me faktorë të ndryshëm politikë brenda partisë dhe jashtë saj për emrat e PD-së që do të konkurrojnë përballë së majtës më datën 28 qershor. Takimet e shpeshta me kryesinë e vogël, strukturat e partisë, por edhe me ekspertë të ndryshëm të pikasur nga fusha të ndryshme të shoqërisë civile, i kanë ardhur në ndihmë liderit të mazhorancës për të projektuar njerëzit që do t’i sjellin fitoren PD-së në zgjedhjet e 28 qershorit. Burimet sqarojnë se lista po shkon drejt përmbylljes për t’ia lënë vendin Kryesisë së PD-së për miratimin e saj dhe më pas dorëzimi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve brenda afatit ligjor, atë të datës 18 maj. Po në përputhje me ligjin, partitë politike kanë të drejtë që edhe dy javë pas dërgimit të emrave në KQZ, të ndërhyjnë për ndryshime në listë dhe pas këtij momenti, ajo mbyllet për t’u hapur vetëm pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Ndonëse bëhet kujdes me lakimin e emrave dhe renditjen e tyre në listën e PD-së, për ata që flitet me siguri të plotë është garimi i anëtarëve të grupeve të punës të përcaktuara nga kryesia, pikërisht në zonat ku bëjnë fushatën zgjedhore të kësaj partie por dhe pjesa dërrmuese e deputetwve aktualw. Konfirmohen emrat e nënkryetarëve Jozefina Topalli e Astrit Patozi, sekretarit të përgjithshëm Ridvan Bode, ministrave Lulzim Basha, Sokol Olldashi, Enkelejd Alibeaj, Majlinda Bregu, Gazmend Oketa, Genc Pollo, Bujar Nishani, Jemin Gjana etj. Por garantimin në listë e kanë edhe anëtarët e tjerë të Kryesisë, të cilët prej kohësh janë shpërndarë në terren për përgatitjen e anëtarësisë së partisë për fushatën elektorale. Në një kohë kur e majta po vuan mungesën e prurjeve të reja në radhët e saj në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare, ndryshe po ndodh në kampin e partisë në pushtet. Flitet për cilësi emrash të cilët kanë studiuar në Perëndim dhe kanë marrë përgjegjësi në vendet respektive. Ata janë pjesa më e re e PD-së, të cilët pritet të kontribuojnë për fitoren e së djathtës më 28 qershor bashkë me pjesën dërrmuese të drejtuesve aktualë dhe qëndrestarëve të kësaj partie. Burimet pranë Kryeministrit bëjnë të ditur se njëherësh me faktorët brenda PD-së, z. Berisha po zhvillon konsultime edhe me aleatët për mënyrën e bashkëpunimit mes tyre, ndërkohë që Kryeministri Berisha ka arritur të firmosë koalicionin më të gjerë parazgjedhor me 10 parti aleate që i përkasin qendrës dhe qendrës së djathtë.