E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvend. PD dhe PS përplasen për kartat e identitetit

Debati në sallën e Kuvendit dje ka qenë i fokusuar në dy drejtime. Deputetët e mazhorancës e kanë fiksuar temën e diskutimit rreth ligjit të "Dosjeve" të pezulluar nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa deputetët e opozitës e kanë vënë theksin te dështimi i qeverisë për pajisjen e shtetasve me karta identiteti.

Duke iu përgjigjur deklaratës së deputetit Marko Bello se qeveria nuk po arrin të mbajë dot premtimet e bëra dhe një nga këta është edhe dështimi i pajisjes së shqiptarëve me karta identiteti, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, ka theksuar se procesi i pajisjes me karta identiteti është duke ecur normalisht dhe brenda parashikimeve. Ministri Nishani ka nënvizuar faktin se procesi i pajisjes me karta nuk është një proces i menjëhershëm, por i njëpasnjëshëm dhe tashmë puna ka nisur edhe në qytetet kryesore të vendit. Ai i ka kujtuar opozitës se duke marrë parasysh kërkesën e bërë prej tyre, prioritet u është dhënë personave që nuk kanë pasaporta, duke bërë të ditur se janë siguruar të gjitha kapacitetet e nevojshme që të pajiset me kartë çdo qytetar pa pasaportë. Sipas Nishanit, qeveria ka vendosur standarde reale për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke siguruar se në zgjedhjet e 28 qershorit, asnjë person nuk do të ketë emrin në listat e zgjedhësve më tepër se një herë. Po kështu, edhe zv/kryeministri Genc Pollo ka theksuar se ky proces është në rrugën e duhur, pavarësisht dobësive elektronike, të cilat, sipas tij, po riparohen nga firma e kontraktuar nga qeveria shqiptare. "Brenda muajit shkurt do të kemi stacione aplikimi për pajisjen me karta në të gjitha komunat dhe bashkitë e vendit", është shprehur Pollo. Gjithashtu, ai ka kërkuar nga PS-ja që të mos hedhë baltë mbi procesin e aplikimit të shqiptarëve me karta identiteti, sepse tha Pollo, ky është një proces tepër i rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët. Deklaratat e Pollos dhe të Nishanit janë kundërshtuar nga nënkryetari i grupit të PS-së, Erjon Braçe. Sipas tij, është shumë shqetësues fakti që pas një muaji e katër ditësh nga dita e fillimit të procesit, asnjë qytetar nuk është pajisur me kartën e identitetit. "Procesi i kartave është shumë i rëndësishëm, sepse ka të bëjë me të drejtën për të votuar, procesi nuk po ecën normalisht, madje po shkon drejt dështimit", është shprehur Braçe. Ndërsa kryetarja e grupit të PS-së, Valentina Leskaj, ka theksuar se mazhoranca ende nuk ka shprehur asnjë qëndrim për komisionin ad-hoc, i cili do të monitorojë procesin për infrastrukturën zgjedhore. Ajo ka theksuar se mazhoranca ka kërkuar që ky komision të drejtohej prej saj, por ka shtuar ai do të ishte një komision i besueshëm nëse komisioni do të drejtohej nga opozita, pasi nuk ka kuptim që mazhoranca të ngrejë një komision për të monitoruar veten e saj. Kjo kërkesë e Leskajt ka marrë menjëherë përgjigjen e homologut nga ana e mazhorancës. Astrit Patozi ka deklaruar se ndihem i befasuar nga kërkesa e opozitës, pasi mazhoranca ka kërkuar që ditën e parë dakortësinë e saj. Ne, tha Patozi, vazhdojmë t‘i mbetemi kësaj, por më duket se opozita nuk ka ndërmend të monitorojë procesin, por ka ndërmend t‘i gjuajë me gur procesit dhe të hedhë baltë mbi të. Nuk e kuptoj tha Patozi, se çfarë e pengon opozitën që ta ngremë që nesër komisionin me bashkëdrejtim ashtu siç është në traditën e këtij Kuvendi ku vazhdimisht kemi pasur dy bashkëkryetarë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›