Kuvend, debate për Gërdecin, FMN-në dhe skandalin e misrit
Tiranë- Tragjedia e Gërdecit, skandali me farën e misrit dhe vendimi për largimin e FMN-së kanë qenë në qendër të debateve në pjesën jashtë rendit të ditës në seancën e sotme plenare në Kuvend. Opozita ka sjellë në kujtesë ngjarjet që nuk mund të harrohen, e që kanë ndodhur të gjitha në një vit, për të cilin qeveria shfaqet euforike duke dekaruar se ka luftuar korrupsionin.
Balla: Prokuroria të hetojë dëshmitë e reja për Gërdecin
Hetim për dëshmitë dhe faktet e reja që dolën në dritë për tragjedinë e Gërdecit. Këtë ka kërkuar deputeti socialist Taulant Balla. Duke ironizuar me euforinë e qeverisë për raportin e korrupsionit, ai i ka quajtur qesharake faktet e fjalimet e qeveritarëve për uljen e korrupsionit.
“Kjo ndodhi pikërisht këtë vit, kur ndodhi tragjedia më e rëndë, ajo e Gërdecit. Korrupsioni ka vajtur më thellë në gjithë aspektet e qeverisë, pasi u dhanë prova dhe dëshmi të reja për tragjedinë e Gërdecit dhe trafikun e armëve”- tha ai.
Sipas Ballës, askush nuk ka dyshim, as prokuroria, që krimi ku humbën jetën 26 njerëz dhe plagosi qindra të tjerë ka për autor ata që kryen trafikun e armëvee. Ata që bënë ligje në dobi të trafikut, që dhanë urdhra me telefon, që vunë njerëz familjarë në pika kyce dhe përdorën makina ushtarake dhe ushtarakë, në dobi të këtij biznesi.
“Dëshmitë e reja të publikuar së fundi, treguan lidhjen e qeverisë dhe përgënjeshtruan mbrojtjen e grabitqarëve. U përgënjeshtrua deklarata se brenda nuk kishte njerëz me grada shtetërore. U hodh poshtë, deklarimi i bërë nga Berisha se në atë fabrikë nuk shfrytëzoheshin fëmijë dhe gra, u dëshmua e kundërta nga pamjet e dhëna”- tha ai.
Provat e reja, sipas Ballës janë prova brenda sistemit të pramidës kriminale. “Prokuroria të marrë në shqyrtim provat e reja dhe dëshmitë e dy punonjësve për krimin makabër me autorësi shtetërore”- tha ai.
Skandali i misrit, Hysa: Qeveria tallet me fermerët
Dëmshpërblimi i fermerëve me misër pas dëmtit të shkaktuar nga fara shterpë, është quajtur nga deputeti socialist Ndriçim Hysa një tallje e hapur e qeverisë me fermerët.
Ai ka theksuar se shpërblimi është qesharak, sepse fermerët po dëmshpërblehen minimalisht në një kohë që prodhimi që duhet të merrnin, nëse qeveria do të ishte e aftë të kontrollonte firmat e licensuara, do të ishte shumë fish më i madh.
“Fermerët po marrin nga 3 kuintal misër për dynym, ndërkohë që ata në kushte normale marrin 10-12 kuintal”- tha Hysa, duke kërkuar në emër të fermerëve drejtësi dhe respekt për punën e tyre.
“Ju premtuar luftë ndaj monopoleve, por vetëm i keni forcuar ato, duke zhgënjer fermerët dhe punëne tyre të ndershme”- tha Hysa, duke kujtuar shifra të larta importesh të produkteve bujqësore, që janë dhunim i fermerëve, që prodhojnë të njëjtin produkt. “Sot fermeri është i pasigurt për imputet. Pas farës së mistrit, skandal në Korcë me patatet dhe më pas nuk dihet se çfarë skandali do të vijë”- tha ai.
Braçe: FMN duhet të qëndrojë në këtë vit elektoral
Ndërprerja e marrëdhënies me FMN po bëhet në një moment shumë kritik për vendin, në kohën kur bota është përfshirë nga kriza financiare. Por, jo vetëm kaq. Deputeti socialist Erion Braçe ka theksuar se qeveria po largon FMN, pasi i intereson që në këtë vit elektoral të ketë dorë të lirë për të vepruar me paratë si të dojë.
“Pas Enver Hoxhës, dëme më të mëdha në fushën finaciare më tepër se Sali Berisha nuk i ka sjellë kush shqiptarëve”- tha ai, duke kujtuar se marrëdhënia e Berishës ka qenë marrëdhënia e tërmetit me çdo ndërtesë mbi dhe.
“Marrëdhënia e tij me administrimin është marrëdhënia e paaftësisë me dënim kolosal; marrëdhënia me bankat është si marrëdhënia e Sudes; marrëdhënia me biznesin është si ajo e kasapit me lëkurën, jo me një po me të 7 lëkurët; marrëdhënia e tij me lirinë e tregut, është si gardiani me lirinë”- tha Braçe.
Ai ka treguar me fakte se Berisha nuk e do FMN, pasi ajo ka deklaruar me raporte se jemi më të korruptuar, në rend dhe ligj, jemi të parët që nuk zbatojmë rregullin dhe ligjit, duke lënë pas Kazakistanin, Hungarinë, Bullgarinë...
“Ne jemi të 4-ët mes 18 vendeve me rrisk të lartë politik, më të lartë se Ukraina që s'ka ende qeveri, me keq se kazakistani. Kjo është FMN-ja dhe kjo juve nuk ju pëlqen”- tha ai, duke shtuar se sot ne po na marrin peng referencat, aq sa biznesmeni është gati ti japë celsat qeverisë
Sipas Braces, FMN-ja paralajmëroi se duhet të uleshin borxhet, të luftoheshin shpenzimet, të shihej skema e falimentuar të pensioneve.
“Ajo ka qenë garante për shqiptarët, siguresa për papërgjegjshmërinë e Berishës. Ju doni të vidhni, të vini zjarrin mbi tokën që do lini pas, si bëtë në 96 që mbaruat shpenzimet. Sot po i vini një supertaksë në kurriz të shqiptarëve, borxhin e jashtëm 1.7 miliardë dollarë. Ndaj FMN duhet të mbetet në këtë vit elektoral, se ajo është garante për Shqipërinë”- tha ai.