Tavo: Qeveria, korrupsion me tekstet për minoritetin
Tiranë- Nxënësit në shkollat e minoritetit grek kanë mbetur pa tekste, edhe pse shkolla ka ditë që ka filluar. Në seancën e sotme në Kuvend, në temën e debatit jashtë rendit të ditës, deputeti i Partisë Socialiste, Vangjel Tavo ka akuzuar qeverinë,jo vetëm për paaftësinë e saj për të menaxhuar këtë situatë, por ka argumentuar me fakte korrupsion që është bërë me botimin e këtyre teksteve.
Sipas tij, këto tekste do të botohen me fondet e qeverisë greke, me material të dërguar nga ministria jonë e Arsimit, ndërkohë që pas marrëveshjes dypalëshe, MASH ka shpallur tender për botimin e teksteve për nxënësit minoritare.
“Situata në këto shkolla është e rëndëuar, korrupsioni i qeverisë me fonde publike ka arritur kulmin”- tha Tavo, duke sqaruar se ndërkohë që në Greqi kishte nisur puna për këto tekste, MASH nxjerr urdhër më datë 8 shkurt 2008, (dy muaj pas marrëveshjes) me titull:“Kërkesë për tekste shkollore”.
“Kërkohen 34 tituj me përkthime të teksteve në gjuhën greke. Si e shpjegoni këtë fakt, a nuk është vjedhje, pasi qeveria greke e mori përsipër një gjë të tillë”- tha ai, duke shtuar se aktualisht kanë përfudnuar 22 tituj që priten të tërhiqen nga ministria jonë.
Sipas tij, fëmijët në Dropull s’kanë as tekste të gjuhës shqipe, pasi gjeografi dhe historia merret me shënime. “Qeveria po nxit shkollat private në Gjirokastër dhe po shkatërron shkollat publike. Mësuesit japin rryshfet dhe zgjidhen politikisht”- tha ai.