Master i Nivelit të Parë, hapen 16 programe studimi në rrethe
Këshilli i Ministrave miratoi hapjen e programeve MNP në 4 universitete në rrethe, për degët mësuesi
Këtë vit akademik, për herë të parë studime në Lushnjë. Universiteti Bujqësor hap filialin ekonomik me 4 degë
Studentët që kanë përfunduar ciklin e parë të studimeve në auditorët me qendër jashtë Tiranës do të kenë mundësi të ndjekin studimet e Masterit të Nivelit të Parë, nga ky vit akademik, në universitetin ku ata janë diplomuar. Këshilli i Ministrave ka vendosur në mbledhjen e tij të fundit, çeljen e programeve Master i Nivelit të Parë në 4 universitete të vendit, përkatësisht në Elbasan, Gjirokastër, Shkodër dhe Korçë. Në universitetin “Eqrem Çabej”, të Gjirokastrës në Fakultetin e Mësuesisë për Ciklin e Arsimit Bazë do të hapen dy programe studimi, ku në përfundim të studimeve do të jepet diploma Master i Nivelit të Parë në lëndët “Gjuhë-Letërsi” dhe “Histori-Gjeografi”. I njëjti numër programesh Master i Nivelit të Parë, do të hapet këtë vit akademik edhe në Universitetin “Fan Noli” në Korçë, në Fakultetin e Mësuesisë, në lëndët “Gjuhë-Letërsi” dhe “Gjuhë Angleze”. Më i privilegjuari ndër universitetet e rretheve duket se është ai i Elbasanit. Në Fakultetin e Shkencave të Edukimit, Këshilli i Ministrave, vendosi të hapë 6 programe studimi përkatësisht në Gjuhë Letërsi, Biologji-Kimi, Gjuhë italiane, Gjuhë Gjermane, Gjuhë Frënge, Gjuhë Angleze. I njëjti numër programesh do të hapet edhe në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, ku është vendosur që duke filluar nga ky vit akademik, të hapen programe Master të Nivelit të Parë në Gjuhë - Letërsi, Matematikë - Fizikë, Matematikë-Informatikë, Biologji - Kimi, Gjuhë Italiane, Gjuhë Gjermane, Gjuhë Frënge dhe Gjuhë Angleze. Programet e studimeve MNP në Mësuesi, për ciklin e lartë të arsimit bazë, sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave do të realizohen me 60 kredite dhe zgjatja normale do të jetë 1 vit akademik. Risia në vendimet e fundit të qeverisë është miratimi i hapjes së Filialit Ekonomik në Lushnjë. Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit dhe Fakulteti i Bujqësisë dhe i Mjedisit në Universitetin Bujqësor të Tiranës, do të kenë në qytetin jugor, duke filluar nga viti akademik 2008-2009, degët e tyre në ciklin e parë të studimeve, si Drejtimi i Fermave dhe i Agrobiznesit, Financë-Kontabilitet dhe Hortikulturë. Kohëzgjatja në Ciklin e Parë të Studimeve do të jetë 3 vite akademike, ndërsa për të marrë diplomën një student duhet të plotësojë 180 kredite. Për filialin e Lushnjës, Këshilli i Ministrave ka miratuar 25 kuota të lira, ndërsa tarifa e studimit do të jetë 15 mijë lekë.
Master i Nivelit të Parë
Universiteti “Eqrem Çabej” Gjirokastër
Fakulteti i Mësuesisë (Cikli i Lartë i Arsimit Bazë)
Lënda Gjuhë-Letërsi
Diplomë MNP
Lënda “Histori-Gjeografi”
Diplomë MNP
Kohëzgjatja 1 vit akademik
60 kredite
Master i Nivelit të Parë
Universiteti “Fan Noli” Korçë
Fakulteti i Mësuesisë (Cikli i Lartë i Arsimit Bazë)
Lënda “Gjuhë-Letërsi”
Diplomë MNP
Lënda “Gjuhë Angleze”
Diplomë MNP
Kohëzgjatja 1 vit akademik
60 kredite
Master i Nivelit të Parë
Universiteti “Aleksandër Xhuvani” Elbasan
Fakulteti i Shkencave të Edukimit
Mësuesi, Cikli i Lartë i Arsimit Bazë
Lënda “Gjuhë-Letërsi”
Diplomë MNP
Lënda “Biologji-Kimi”
Diplomë MNP
Lënda “Gjuhë Italiane”
Diplomë MNP
Lënda “Gjuhë Gjermane”
Diplomë MNP
Lënda “Gjuhë Frënge”
Diplomë MNP
Lënda “Gjuhë Angleze”
Diplomë MNP
Kohëzgjatja 1 vit akademik
60 kredite
Master Niveli i Parë
Universiteti “Luigj Gurakuqi” Shkodër
Fakulteti i Shkencave të Edukimit
Mësuesi (Cikli i Lartë i Arsimit Bazë)
Lënda “Gjuhë - Letërsi”
Diplomë MNP
Lënda “Matematikë - Fizikë”
Diplomë MNP
Lënda “Matematikë - Informatikë”
Diplomë MNP
Lënda “Biologji - Kimi”
Diplomë MNP
Lënda “Gjuhë Angleze”
Diplomë MNP
Lënda “Gjuhë Gjermane”
Diplomë MNP
Kohëzgjatja 1 vit akademik
60 kredite
Universiteti Bujqësor i Tiranës
Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit
Filiali Lushnje
Cikli i Parë i Studimeve
“Drejtimi i Fermave dhe i Agrobiznesit”
“Financë-Kontabilitet”
Fakulteti i Bujqësisë dhe i Mjedisit
Filiali Lushnje
Cikli i Parë i Studimeve
“Hortikulturë”
Kohëzgjatja 3 vite akademike
180 kredite
Numri i kuotave 25
Tarifa e studimit 15 mijë lekë