Kuvend, hiqen fotografitë e Presidentit nga komisionet
TIRANE-Portreti i Presidentit të Republikës, Bamir Topi është hequr nga të gjitha zyrat ku mbahen mbledhjet publike të komisioneve të përhershme të Kuvendit. Në bazë të vendimit Nr.229, datë 23.4.2004, “Për miratimin e ceremonialit zyrtar të Republikës së Shqipërisë”, të gjitha institucionet e administratës shtetërore, qendrore dhe lokale janë të detyruara të vendosin në qendër të zyrës foton e kreut të shtetit si kornizë. Konkretisht, pika 1.18 e këtij vendimi sanksionon se: “Në zyrat e administratës publike, duke filluar nga niveli drejtor drejtorie deri te titullarët e dikastereve dhe në përfaqësitë diplomatike shqiptare jashtë shtetit, është e detyrueshme të vendoset portreti i Presidentit të Republikës”. Gazeta Shqiptare zbuloi se në shkelje të këtij vendimi, fotot e Presidentit Topi janë hequr nga zyrat ku zhvillohen mbledhjet e komisioneve të përhershme parlamentare. Ndërkohë, në sesionin e kaluar të legjislaturës së XVIII, fotot e kreut të shtetit kanë qenë të varura në këto ambiente të kryesisë së Kuvendit. Vendimi për heqjen e portretit të Presidentit vjen në një moment kur maxhoranca e ka bërë të qartë se nuk do të pranojë Topin si negociator të zgjidhjes së krizës politike në vend, edhe pse kjo u rekomandua vetëm tri ditë më parë nga Këshilli i Europës. Gazeta Shqiptare ben te ditur sot gjtihashtu se nuk është hera e parë që portreti i Presidentit të Republikës, Bamir Topi hiqet nga ambientet ku zhvillohen mbledhjet e komisioneve të përhershme kuvendore. Për herë të parë kjo ndodhi në muajin qershor të vitit 2008, fill pas një përplasjeje të ashpër mes maxhorancës dhe kreut të shtetit për pesë kandidaturat e propozuara nga Topi për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Por edhe në kohën kur Alfred Moisiu ushtronte funksionin e Presidentit të Republikës, heqja e portretit të tij nga ambientet e Parlamentit ishte bërë më se e zakonshme. Pas çdo përplasjeje mes maxhorancës dhe kreut të shtetit, fotoja e këtij të fundit hiqej për t’u vendosur sërish në periudhat e “paqes”. (d.b/BalkanWeb)