E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi, BSH kujdes me stabilitetin e çmimeve

07/04/2005  Guvernatori, Banka e Shqipërisë në rregull me detyrat për 2004

Banka e Shqipërisë i ka bërë të gjitha detyrat e saj dhe ka gati planveprimin për 2005-ën. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Adrian Fullani, duke prezantuar Raportin për 2004-ën, ka kujtuar se në asnjë tregues nuk ka çaluar puna dhe BSH-ja mund të ndihet krenare për performancën e punës së saj. Tregues si inflacioni brenda parametrave 2–4 për qind, duket se do të bëhet e mundur të arrihet dhe në 2005-ën, dhe Fullani ka premtuar se do ta ruaj këtë objektiv. “Sipas zhvillimeve të faktuara, Banka e Shqipërisë e ka përmbushur objektivin e saj për kontrollin e inflacionit në intervalin 2-4 për qind”, ka deklaruar Guvernatori Fullani. Kështu duke folur për punën që ka bërë Banka e Shqipërisë në 2004-ën, edhe pse si Guvernator Fullani ka marrë në dorëzim detyrën në muajt e fundit të vitit, duket se të gjitha parametrat ekonomikë janë në përputhje me strategjinë që ka miratuar qeveria në planin strategjik. Por të gjitha këto, edhe pse janë pranuar nga Kuvendi i Shqipërisë, duket se kanë qenë të pamjaftueshme. BSH-ja duhet të realizojë dhe detyrat për 2005-ën për të qenë në rregull me qeverinë. Kuvendi me deputetët e saj prezent në paraqitjen e Raportit, ka kërkuar që BSH-ja të rrisë më tej besueshmërinë ndaj publikut, duke zbatuar politika monetare sa më transparente. “BSH-ja duhet të rrisë më tej rolin e saj ndaj stabilitetit të çmimeve”, ka deklaruar kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Ylli Bufi. Ndërkaq, BSH-ja nuk ka konstatuar asnjë rrezik ose problem me ekonominë shqiptare. Kështu duke folur për rritjen ekonomike, Fullani deklaroi se kanë qenë tre sektorët kryesorë që kanë mbështetur rritjen prej 6 për qind të ekonomisë. “Sektorët që kanë dhënë kontributin më të madh në normën e rritjes vjetore, vlerësohet të jenë shërbimet, ndërtimi dhe transporti, të cilët kanë kontribuar rreth 75 për qind të rritjes ekonomike”, ka deklaruar Fullani. Për Guvernatorin, kjo rritje është mbështetur nga sektori financiar, i cili ka rritur në mënyrë të ndjeshme kreditimet. “Kredia për ekonominë është rritur mesatarisht me 34 për qind gjatë dy viteve të fundit, duke u shoqëruar njëkohësisht me rritje të afatit të maturimit”, ka bërë të ditur Guvernatori Fullani. Mes të dhënave të tjera mbi ekonominë, Fullani ka përmendur dhe faktin se 2004 është shoqëruar me presione mbiçmuese për lekun, të ndikuara nga stabiliteti makroekonomik i vendit, nga rritja e besimit në monedhën vendase dhe nga ndikimi më i madh i efekteve sezonale. “Krahasuar me një vit më parë, leku është mbiçmuar mesatarisht me 7.2 për qind kundrejt euros dhe 15.7 për qind kundrejt dollarit”, tha Fullani.

Detyrat e BSH për 2005

Rritja e besueshmërisë ndaj publikut

Ruajtja e stabilitetit të çmimeve

Gjallërim më të madh të kredisë, të tregut valutor dhe të parasë

Vlerësim i mundësive për krijimin e Byrosë së Regjistrimit të Kredive

Përsosja e transparencës monetare

Ridimensionimi i procesit të llogaridhënies së institucionit

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›