E Diel, 1 Nëntor 2026

Një letër anonime heq nga puna drejtorin

07/04/2005  Shkarkohet drejtori i Burgut 302 Tiranë, motivi dhunë ndaj të burgosurve

TIRANË- "Dhunë fizike ndaj të burgosurve". Ky është motivi me të cilin është shkarkuar nga detyra, drejtori i Burgut 302 Tiranë, Petrit Ismailaj. Në të njëjtën kohë me të i është komunikuar shkarkimi edhe shefit të policisë së këtij burgu, Kamber Hoxha. Motivi sipas burimeve nga Ministria e Drejtësisë ka qenë i njëjtë për të dy. Komunikimi i urdhrit për shkarkim nga detyra, Ismailajt i është bërë të mërkurën pasdite. Në duart e tij nuk ka arritur ende versioni zyrtar. I komunikuar nga gazeta, ish- drejtori Ismailaj, tha se është i pushuar nga puna me një urdhër verbal. Urdhri, sipas tij, i është komunikuar nga drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Engjëll Hysi, por propozimi është bërë nga ministri Xhafa. Ish-drejtori tha se nuk e di arsyen e pushimit nga detyra, ndonëse është i vetëdijshëm se ngjarjet e fundit kanë dhënë ndikimin e tyre. Menjëherë pas pushimit nga puna të Ismailajt, në këtë vend është emëruar Thanas Rumneci. Ky i fundit, deri në momentin e emërimit ka punuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Ngjarjet e fundit të ndodhura në Burgun 302, ku disa të paraburgosur janë ankuar për përdorim të dhunës fizike nga policia, janë bërë shkak për inspektim nga një grup të përbërë nga përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Ministria e Drejtësisë, Shoqata e Gazetarëve, Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut. Inspektimi e ka zanafillën e vet te një letër anonime e dërguar në zyrën e ministrit të Drejtësisë nga dy persona, emrat e të cilëve gazeta jonë i ka, por për arsye etike nuk mund t'i publikojë. Letra është shkruar disa ditë më parë dhe i është dërguar ministrit Xhafa. Pas kësaj ngjarjeje, ministri me iniciativën e një grupi personash ka dhënë urdhër për inspektim në Burgun 302, ku flitej se dhuna fizike kishte arritur kulmin. Dhunën e policisë e kanë deklaruar edhe para Gjykatës së Krimeve të Rënda disa prej të pandehurve. Por askush nuk i besonte. Pesë ditë më parë, disa prej të paraburgosurve të këtij burgu vendosën të futen në grevë urie. Menjëherë pas kësaj kryhet edhe inspektimi. Në krye ishte Njazi Jaho.

Inspektimi

Me urdhër të ministrit të Drejtësisë, Fatmir Xhafa, në Burgun 302 janë futur përfaqësuesit e disa shoqatave, përfaqësues të burgjeve dhe të Ministrisë së Drejtësisë. Mes tyre edhe dy gazetarë, Artur Çani dhe Enkel Demi. Ish- drejtori Petrit Ismailaj, tha dje se grupi i inspektimit bëri takime konfidenciale me të paraburgosurit. Pas kontrollit dhe bisedave, ka qenë Artur Çani ai që formuloi raportin në prani të drejtorit Petrit Ismailaj. Vetë Ismailaj u shpreh dje se, në raport nuk kishte asnjë ankesë prej të paraburgosurve, madje, aty flitej me shumë superlativa për kushtet e mira të burgut. Përfundimi i inspektimit konfidencial, tha ish-drejtori, është i shkëlqyer. Ismailaj kundërshtoi edhe faktin se gjatë punës së tij është ushtruar dhunë fizike ndaj të paraburgosurve. Më tej, ai tha se ishte i habitur me këtë urdhër të menjëhershëm për pushim nga puna, ku nuk kishte hapësira as për një lëvizje në vend tjetër. Petrit Ismailaj, i kontaktuar nga ana jonë, shtoi se pasi është njohur me urdhrin e pushimit nga puna, ka kontaktuar me iniciuesin e inspektimit të fshehtë në burg, Artur Çani, i cili, sipas tij, ka reaguar në mënyrë habitore. "Unë nuk e di se çfarë është biseduar në zyrat e ministrit pas inspektimit me përfaqësuesit e grupit, por di të them se Artur Çani foli shumë mirë për kushtet dhe për trajtimin e të dënuarve", tha Petrit Ismailaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›