E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi, PS rebelohet ndaj Ylli Bufit

 

Bledar Hoti

PS-ja rebelohet ndaj deputetit të saj Ylli Bufi për mënyrën e drejtimit të seancës. Irritimi i socialistëve arriti deri aty saqë në shenjë proteste ndaj Bufit bojkotuan seancën parlamentare. Shkak i këtij konflikti është bërë kërkesa e deputetëve të grupit të PS-së për të mbledhur byronë e Kuvendit, për shkak se demokrati Dashnor Sulaj ofendoi deputeten e tyre, Ermelinda Meksi. Kryetarja e grupit të PS-së, Valentina Leksaj, kërkoi ndërprerjen e seancës dhe mbledhjes e Byrosë për të marrë një vendim për ndëshkimin e Sulajt, ndaj ofendimit që i bëri, sipas tyre, deputetes Meksi. Por megjithë protestat e socialistëve, drejtuesi i seancës, Bufi nuk ka pranuar që të mbledhë Byronë e Kuvendit dhe pse të drejtën ekskluzive e ka Topalli, e cila nuk ndodhej në Shqipëri, por në një vizitë zyrtare në Jordani. Deputeti i PD-së, Dashnor Sulaj, i irrituar nga fjalimet pa fund të socialistëve, si dhe për ndërprerjen e fjalës së deputetëve të maxhorancës nga ana e Bufit, kërkoi ndërprerjen pa fund të diskutimeve. "Edhe ndonjë zonjë që foli për Fazlliçin, kujdes se kur të flejë në gjumë me burrin e saj se mos e ngatërrojë emrin e burrit me Fazlliçin", deklaroi Sulaj. Kjo solli reagimet e ashpra nga socialistët, të cilët kërkuan largimin e menjëhershëm të tij nga salla. "Në mënyrë urgjente, zoti drejtues i seancës, dua që të mblidhet Byroja dhe të merrnin masa dhe vendosni etikën në Parlament. Zonja Meksi është vite drite larg për sa i përket dinjitetit në raport me zotninë që është aty. Kërkoj të ndërpritet seanca dhe të merren masa e duhura", deklaroi kryetarja e grupit të PS-së, Valentina Leskaj. Gjithashtu ajo theksoi se, "Opozita është kundër kërkesës së Berishës. Ajo është kundër krimit që kjo qeveri ka instaluar në këtë vend, është kundër atij krimi që hodhi në erë 26 jetë të pafajshme, opozita është kundër korrupsionit të tmerrshëm që kanë zaptuar këtë vend dhe që po u heq njerëzve bukën e fëmijëve nga goja". Por drejtuesi i seancës Bufi nuk pranoi të ndërpriste seancën, duke vazhduar me pikën e dytë të rendit të ditës. Kjo solli më pas irritimin e socialistëve, të cilët kërkuan ndërprerjen e menjëhershme të seancës. Por Bufi propozoi që Byroja të mblidhej menjëherë pasi kreu i KLSH-së, Robert Çeku, të lexonte raportin vjetor mbi buxhetin faktik të vitit 2007. Por kjo gjë shtoi më tepër reagimet e socialistëve, të cilët dolën të gjithë nga salla e Kuvendit. Më pas seanca vazhdoi me leximin e raportit nga ana e kryekontrollorit Çeku.

Ngjela: Qeveria, frikë nga Prokuroria

Deputeti i pavarur Spartak Ngjela ka kritikuar ashpër qeverinë dhe kryeministrin Berisha, se po cenon pavarësinë e Prokurorisë dhe se ka frikë prej saj. Sipas Ngjelës, qeveria ka frikë nga Prokuroria shqiptare së është e implikuar vetë në krime dhe korrupsion. Deputeti Ngjela e ka cilësuar si të patolerueshme dhe të pajustifikueshme faktin, që qeveria mbrohet me argumentin se Damir Fazlliç e ka sjellë këshilltari dhe amerikan i kryeministrit Berisha, Tom Ridge. "Nuk trembni askënd me Tom Ridge. Damir Fazlliç të vijë me kë të dojë në Shqipëri, edhe me presidentin. Në SHBA kanë futur presidentë në burg. Në Shqipëri nuk ka demokraci, vendi vuan nga një qeveri uzurpatore", ka deklaruar Ngjela. Ngjela u ka kërkuar deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë të mbrojnë institucionet e pavarura, pasi kjo është demokraci e vërtetë. Ai u shpreh pro hetimit të Fazlliç nga Prokuroria shqiptare.

Patozi: PS, urrejtje primitive ndaj Fazlliç
"Ju e urreni Fazlliç sepse besoni se ai ka ndihmuar në fushatën e fituese të PD-së në vitin 2005. Dhe kjo është një urrejtje primitive, sepse kjo nuk ka të bëjë me të, se në fakt ju kemi mundur ne. Është njësoj sikur ne të merremi me këshilltarin hebre, që merrej me kreun e PS-së prej disa vitesh, por ne nuk e kemi këtë gjë, nuk e kemi akuzuar dhe pse e ka privatizuar shtëpinë muze në Pezë të Myslim Pezës. Ju doni të krijoni imazhin e rremë në këtë vend se meqë keni vjedhur ju dhe ne pas jush, po veprojmë njësoj", tha Patozi.

Meksi: Nëse keni dosje, denonconi
I rikujtoj Olldashit se mesazhi që dha është se ne nuk ju ngacmojmë, prandaj dhe ju heshtni, mos na ngacmoni. Nëse ky është morali i këtij Parlamenti, e denoncoj dhe ju ftoj se nëse keni veprime të kundërligjshme ndaj ndonjë ministri të partisë sime, ju lutem denoncojeni dhe veproni, sepse kështu veproni në dobi të demokracisë. Objekti i këtij debati politik synon të demaskojë keqpërdorimin e shtetit për interesa private. Fazlliç erdhi pas premtimit të Berishës për të na fyer ne të gjithëve si deputetë.

Zogaj: Të mbështesim transparencën e hetimit
Lidhur me çështjen "Fazlliç" deputeti i PD-së, Preç Zogaj është shprehur dje në mbledhjen e grupit parlamentar se "duhen respektuar liritë dhe të drejtat e njeriut, por duhet mbështetur transparenca e hetimit. Kjo është prokurori me shumë probleme. Duhet inkurajuar hapja e dosjeve të korrupsionit. Të mos krijojmë përshtypjen sikur po pengojmë hetimin. Atje ka prokurë të rinj të cilët po bëjnë përpjekje për të vënë prokurorinë në binarët e ligjit, po e shkundin nga merimangat e kohës para Ina Ramës".

Duçkallari: Hetim Berishës dhe jo Prokurorisë
Sekretari Politik i PDS-së, Artur Duçkallari në përgjigje të deklaratës së kryeministrit Berisha për hetim ndërkombëtar, tha se nuk duhet të hetohet Prokuroria, por Sali Berisha. Sipas tij, aferat e kryeministrit shqiptar nuk mund të fshihen nga mjegulla "Fazlliç". PDS përmes sekretarit të saj politik u shpreh, se  Berisha mbetet njeriu antiligj dhe antishtet në Shqipëri. Duke kërkuar pavarësinë e Prokurorisë, Duçkallari tha se: "Berisha ngatërron Ina Ramën me Majlinda Bregun". Ai kërkoi që opozita të ketë reagim të përbashkët kundër Berishës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›