SHBA: Qeveria të mos e kërcënojë Ina Ramën
BLEDAR HOTI
Shtetet e Bashkuara të Amerikës shprehin shqetësimin e tyre në lidhje me konfliktin ndërmjet qeverisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Debati më i fundit ndërmjet Ministrisë së Brendshme dhe Drejtësisë nga njëra anë dhe Prokurorisë së Përgjithshme ka tërhequr vëmendjen e ambasadës së SHBA-së, e cila në një deklaratë publike kërkon mos cenimin e organit të akuzës. Zëdhënësi i ambasadës së SHBA-së në Tiranë, Biks Aliu, në deklaratën publike thekson se, "ne jemi shumë të shqetësuar nga veprimet e fundit të ministrit të Drejtësisë dhe ministrit të Brendshëm për të ndërhyrë në pavarësinë e Prokurorisë gjatë një hetimi në vazhdim". Më tej Aliu shprehet për pavarësinë e institucioneve në Shqipëri, duke ftuar në mënyrë indirekte dy dikasteret që të qëndrojnë larg këtij hetimi të nisur për çështjen e biznesmenit Fazlliç. "Të gjitha çështjet duhet të hetohen në mënyrë të plotë, tërësore dhe të pavarur, pa kurrfarë ndërhyrjeje apo kërcënimesh nga jashtë ndaj prokurorëve. Respektimi i të gjitha institucioneve të pavarura është me rëndësi thelbësore për një demokraci të shëndetshme", thuhet në deklaratën për shtyp. Kjo është e dyta herë që SHBA ndërhyn në çështjen e përplasjes mes Prokurorisë së Përgjithshme dhe institucioneve shtetërore. Ndërhyrja e parë publike e bërë nga ana e ambasadorit Xhon Uidhers lidhet me çështjen e hetimit të Gërdecit nga ana e organit të akuzës shqiptare. Shkak i kësaj u bë një letër e kryeparlamentares Jozefina Topalli në lidhje me çështjen e heqjes së imunitetit të deputetit të PR-së, Fatmir Mediu. Në këtë letër Topalli kërkonte dokumente shtesë për çështjen e Gërdecit, duke kërkuar materiale në lidhje me rolin që kanë pasur Forcat e Armatosura dhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë në procesin e demontimit të armëve. Kjo letër e datës 3 qershor solli më pas takimin e menjëhershëm ndërmjet Uidhers dhe kryeprokurores Ina Rama në ambasadën amerikane në Tiranë. Pas takimit, diplomati i lartë i SHBA-së e siguroi Prokuroren e Përgjithshme, që Qeveria e SHBA-së mbetet në mënyrë të përhershme e përkushtuar ndaj një hetimi të paanshëm e të gjithanshëm, të bazuar plotësisht mbi fakte ligjore.