Topi dëgjon problemet e përmetarëve
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, është pritur dje nga qindra qytetarë përmetarë, kryetari i bashkisë së këtij qyteti, Edmond Komino dhe prefekti i Qarkut të Gjirokastrës, Spiro Ksera. Gjatë vizitës së tij, Presidenti është shoqëruar edhe nga disa biznesmenë që operojnë me sukses në kryeqytet dhe që janë me origjinë përmetare, si dhe nga deputetët e majtë, Flamur Hoxha dhe Diana Çuli. Takimin e parë ai e ka zhvilluar në zyrën e kryetarit të bashkisë dhe më pas pati një takim të zgjeruar me drejtuesit e lartë të pushtetit vendor. Presidenti i kushtoi rëndësi të veçantë kërkesës së paraqitur nga pushteti vendor për vendosjen në dispozicion të zhvillimit të qytetit të territorit të një reparti ushtarak jashtë funksionit, si dhe problemit të riorganizimit të gjyqësorit, problem të cilin Presidenti ka premtuar se do ta parashtrojë në mbledhjen më të afërt të KLD-së.