Kuvendi do mbështesë Kosovën në sfidën e forcimit të institucioneve
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, garantoi ministrin e Brendshëm të Kosovës, Zenun Pajaziti se Kuvendi i Shqipërisë do të mbështesë Kosovën në sfidën e forcimit të institucioneve. Në këtë takim, kryetarja e Kuvendit shprehu dëshirën që niveli i lartë i marrëdhënieve mes dy Kuvendeve të Shqipërisë dhe Kosovës, të shtrihet dhe në nivelet ministrore. Tashmë Kosova ka përpara sfidën e forcimit të institucioneve dhe për këtë, do të keni të gjithë mbështetjen e Kuvendit dhe të gjitha institucioneve të Shqipërisë, tha Topalli.
Ajo vlerësoi si një ngjarje të rëndësishme njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Arabia Saudite dhe shprehu bindjen se numri i shteteve që do të njohin brenda këtij viti shtetin e Kosovës, do të vijë duke u rritur ndjeshëm. Këto janë ditët më të mira në historinë mijëvjeçare të kombit tonë, Kosova me pavarësinë dhe Shqipëria në NATO, deklaroi Topalli. Nga ana e tij, ministri Pajaziti bëri një përmbledhje të gjendjes dhe rendit në Kosovë, marrëdhëniet me Eulex dhe UNMIK dhe tha se një ndër arritjet më të mëdha në fushën e sigurisë është plotësimi i legjislacionit përkatës. Ai vlerësoi ndër të tjera si thelbësor bashkëpunimin me policinë shqiptare, që sipas tij, e ka larguar vendin nga lista e vendeve problematike.