E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prekazi zëvendëson Sejdiun

Rafet Prekazi është emëruar trajner i ri i Trepçës ’89, në vend të Gani Sejdiut, i cili dha dorëheqje pas barazimit me Gjilanin. Prekazi premton se do ta japë maksimumin për ekipin mitrovicas, të cilin do ta udhëheq së paku në dy ndeshjet e mbetura të sezonit vjeshtor.

Gani Sejdiu i ka dhënë fund eksperiencës me Trepçën ’89. Trajneri mitrovicas vendosi të largohet para se t’i përfundojë kontrata, pas mosmarrëveshjeve të vogla që pati me drejtuesit e klubit, si shkak i rezultateve jo të mira në ndeshjet e fundit.

“Mbrëmë kam dhënë dorëheqje. Edhe ashtu kontrata do të më skadonte pas dy xhirosh dhe nuk e kam pasur ndërmend të vazhdoj me Trepçën ’89 edhe në pranverë. Andaj, vendosa të tërhiqem tash, pas një mosmarrëveshjeje të vogël që kishim”, deklaroi Sejdiu për Express.

Ndërkohë, drejtuesit e klubit ‘Xehetar’ e kanë gjetur pasardhësin e Sejdiut brenda natës. Kryetari i klubit, Sejdi Brahimi ka njoftuar se ekipin mitrovicas tash e tutje do ta drejtojë Rafet Prekazi, që edhe në të kaluarën ishte pjesë e këtij ekipi. Trajneri mitrovicas e ka filluar punën me ekipin e ri, për të cilin thotë se do ta japë maksimumin.

“Unë kam qenë edhe më herët trajner i Trepçës ’89 dhe e njoh ekipin. E kam marrë ekipin në këtë situatë, pasi që ishte dëshirë e udhëheqësisë dhe e tifozëve. Do të punoj me ekipin deri në fund të sezonit vjeshtor, e më pas të shohim se si do të rrjedhin gjërat. Drejtuesit e klubit dëshirojnë që unë të vazhdoj edhe në pranverë, por le t’ia lëmë kohës të vendos”, theksoi Prekazi.

‘Xehetarët’ aktualisht pozicionohen në vendin e katër të renditjes tabelore me 25 pikë të tubuara, pesë më pak se lideri Prishtina. Prej 15 ndeshjeve të zhvilluara, Trepça ’89 i ka shënuar 6 fitore, ka barazuar në 6 sosh, ndërsa ka pësuar 2 humbje.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›