E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Të merren masa konkrete ndaj elementeve ekstremistë


Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, reagon pas thirrjeve skandaloze të ushtarëve grekë

TIRANË- Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, ka dënuar incidentin e ndodhur në radhët e ushtrisë greke. Ai ka deklaruar dje se ministria e jashtme do të kontaktojë me autoritetet greke, jo vetëm për të dënuar rastin, por edhe për të kërkuar marrjen e masave konkrete ndaj elementëve ekstremistë. "Shumë shpejt do të kemi dhe një reagim zyrtar pasi po konsultohemi dhe me ambasadën tonë dhe me palën greke lidhur jo vetëm me evidentimin e asaj që ka ndodhur po masat që pritet të merren nga autoritetet greke ndaj këtyre elementëve ekstremistë që kanë fyer shqiptarët dhe që synojnë të nxisin një valë urrejtjeje dhe konflikti për të cilat askush nga vendet tona nuk ka nevojë. Jam i bindur që kjo do të jetë në kundërshtim me frymën e përgjithshme të miqësisë, bashkëpunimit, harmonisë midis dy popujve tanë. Duke pasur parasysh edhe faktin që ne kemi qindra shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi, jam i bindur që ky incident dhe shpresoj shumë shpejt do të ndëshkohet nga autoritete greke dhe do të izolohet",- tha mbrëmë Meta në një intervistë për Tv "Alsat". Sipas tij, ngjarja nuk ka një prapavijë serioze politike. "Elementët ekstremistë dhe të papërgjegjshëm mund të gjenden kudo për të krijuar incidente, por unë besoj se ndaj këtij incidenti do të ndërmerren qëndrimet e duhura nga autoritetet greke dhe në këtë mënyrë besoj se nuk do të ndikojë në rritjen e një vale të re përplasjesh, deklaratash politike andej këndej",- shtoi ai. Meta tha se do të ndërmerren të gjitha veprimet e duhura me autoritet greke, me qëllim që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›