Kuvendi fut në krizë një tjetër institucion të pavarur
Një tjetër institucion i pavarur është futur që prej ditës së djeshme në krizë, pasi deputetët e mazhorancës kërkuan shkarkimin e tij. Bëhet fjalë për Komisionin e Shërbimit Civil, anëtarët e të cilit zgjidhen me shumicë të cilësuar, përkatësisht me 84 vota që PD dhe aleatët e saj nuk i kanë. Komisioni Parlamentar i çështjeve Ligjore ka miratuar një rezolutë, ku i rekomandon Kuvendit shkarkimin në bllok të të gjithë anëtarëve të KSHC-së. Gjithashtu, në projektrezolutë Komisioni i Ligjeve kërkon ndërprerjen e menjëhershme të konflikteve të brendshme dhe risjelljen e normalitetit në funksionimin e këtij institucioni.
Komisioni i Ligjeve miratoi projektrezolutën dhe e kaloi atë për miratim në seancën plenare. Raportimi i djeshëm ka nxjerrë në pah përplasjen ndërmjet anëtarëve të Komisionit të Shërbimit Civil, tre anëtarë të të cilit kanë shkarkuar kreun e këtij institucioni, Mimoza Hysenaj, akt që nga kryetarja është cilësuar si “vjedhje e vulës”. Një prej anëtarëve të komisionit, Saimir Mani, e quajti të ligjshëm shkarkimin e kryetares Mimoza Hysenaj, ndërsa e akuzoi atë se ka penguar funksionimin e këtij institucioni, duke e kthyer atë në sipërmarrje private. “Ky institucion nuk ka kryer veprimtari normale, përkundrazi unë kam mendimin që ka qenë i bllokuar në vendimmarrje. Dhe ky bllokim i vendimmarrjes së këtij institucioni ka ardhur thjesht nga paligjshmëria dhe drejtimi i këtij institucioni nga ish-kryetarja Mimoza Hysenaj. Ne kemi arritur deri aty sa të akuzojmë se ky institucion është kthyer në një sipërmarrje private”, u shpreh Saimir Mani. Ndërkaq, relatorja e kësaj çështjeje në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, deputetja Arenca Trashani, bëri një vlerësim negativ të funksionimit të shërbimit civil përgjatë një viti. “Konfliktet e brendshme të Komisionit të Shërbimit Civil në fakt nuk i ngjajnë një institucioni shtetëror, por një telenovele të dalë mode fare. Janë konstatuar vendimmarrje jokolegjiale gjatë gjithë vitit, shifrat flasin vetë, zvarritja e çështjeve, mosformimi i kuorumit, mosmarrëveshjet ndërmjet anëtarëve kanë çuar në një paralizë të punës së Komisionit të Shërbimit Civil”, theksoi Trashani. Deputetja e Partisë Demokratike e ka cilësuar situatën në KSHC si një telenovelë e dalë boje. Më pas, deputetët e Komisionit të Ligjeve kanë miratuar rezolutën që kërkon shkarkimin e të gjithë anëtarëve të këtij institucioni. Sipas ligjit, Komisioni i Shërbimit Civil përbëhet nga pesë anëtarë, të cilët emërohen nga Kuvendi me propozim: dy nga Këshilli i Ministrave, një nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe dy nga mbledhja e përfaqësuesve të pushtetit vendor, të zgjedhur sipas procedurës së parashikuar në nenin 6 të këtij ligji. Institucionet e mësipërme propozojnë tre kandidatë për çdo anëtar të komisionit.
#