E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi niset në Gjermani, Meta në delegacion

Prishet “tradita e bojkotit”

Prishet “tradita” e krijuar së fundmi kur qeveria ka “bojkotuar” Presidentin e Republikës në vizitat e tij jashtë vendit. Klima, siç duket, ka ndryshuar nga influenca e numrit 2 të qeverisë, Ilir Meta, dhe jo nga përfaqësuesit e PD-së në ekzekutiv. Në vizitën zyrtare që ka nisur dje Presidenti Bamir Topi, ai shoqërohet nga shefi i diplomacisë shqiptare, Ilir Meta, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo, zëvendësministri i Kulturës, Nikollë Lesi, deputeti Gazmend Oketa dhe anëtarë të kabinetit të Presidentit. Kreu i shtetit shqiptar është nisur dje në Berlin me ftesën e homologut të tij gjerman, Horst Këler. Topi do të zhvillojë një vizitë zyrtare dyditore, ku përveç Presidentit të Gjermanisë do të zhvillojë takime edhe me drejtues të lartë të shtetit federal. Temë qendrore e bisedimeve mes dy presidentëve do të jetë thellimi dhe forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve të mira mes dy vendeve dhe popujve tanë, në kuadër edhe të zhvillimit e të integrimit të Shqipërisë dhe të rajonit ballkanik në strukturat europiane. Gjithashtu, kreu i shtetit shqiptar do të marrë pjesë në forumin ekonomik që do të zhvillohet në Berlin me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të bizneseve të të dyja vendeve, gjatë të cilit Presidenti Topi do të mbajë një fjalë përshëndetëse, kryesisht lidhur me zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik e tregtar mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. “Marrëdhëniet ekonomike gjermano-shqiptare po zhvillohen me dinamikë”, vlerëson Helge Tolksdorff, drejtor i departamentit të Europës Juglindore në ministrinë gjermane të Ekonomisë. “Gjatë viteve të fundit, kemi arritur një rritje prej 30 për qind të eksporteve gjermane në drejtim të Shqipërisë, ndërsa eksporti shqiptar është rritur dukshëm me mbi 10 për qind. Për ne është me rëndësi që edhe në vitin 2009, i cili u karakterizua nga kriza ekonomike dhe financiare, u shënuan rritje të këmbimit tregtar. Shqipëria dallohet dukshëm nga vendet e tjera të rajonit, tregtia me të cilat ka pësuar rënie”. Këmbimi ekonomik mes dy vendeve pritet të marrë edhe më shumë hov, mbas hyrjes në fuqi të marrëveshjes dypalëshe për shmangien e taksave të dyfishta dhe evazionit fiskal, e cila do të nënshkruhet sot pasdite në prani të ministrit të Jashtëm, Ilir Meta. Vizita e Presidentit Topi në Berlin është këmbimi i katërt në nivel presidentësh që zhvillohet mes Shqipërisë dhe Gjermanisë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›