E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: “Qeveria, strategji të paqartë për integrimin”

Komisioni Parlamentar i Integrimit Europian, nën drejtimin e kryetarit Ilir Meta, u mblodh dje për të diskutuar mbi Strategjia Kombëtare për Zhvillimin dhe Integrimin, ku dhe u zhvilluan diskutime mbi këtë strategji të paraqitur nga qeveria. Për të raportuar lidhur me masat dhe parashikimet e bëra në këtë drejtim, në komision ishte i pranishëm zv/kryeministri Gazmend Oketa. Në fjalën e tij, kryetari i komisionit, Ilir Meta, nënvizoi se ky takim i shërbente njohjes nga afër me Strategjinë Kombëtare për Zhvillimin dhe Integrimin si dhe mbi prioritetet konkrete që ka vendosur qeveria në këtë "axhendë" kombëtare 6- vjeçare. “Në këtë kontekst është shumë e rëndësishme që të bëhet një oponencë pozitive lidhur me atë dokument që duhet të jetë një nga dokumentet më të rëndësishme për qeverinë, por edhe për opozitën, pasi vetë emërtimi e supozon një gjë të tillë, pra Strategjia Kombëtare për Zhvillimin dhe Integrimin”, - u shpreh ai. Duke bërë një përmbledhje të Strategjisë Kombëtare për Zhvillimin dhe Integrimin, kreu i LSI-së tha se "ky dokument i prodhuar i ngjan më shumë një kolazhi që në vetvete ka shumë strategji, të cilat janë prodhuar deri sot për sektorë të ndryshëm, por nuk e ka qartësinë e duhur për prioritetet për zhvillimin dhe integrimin e vendit dhe nuk ka objektiva konkretë për këtë proces. Ai ka disa të meta thelbësore. Së pari, pavarësisht se kjo strategji angazhohet për një periudhë afatgjatë 6-vjeçare, shohim që instrumenti financiar për zbatimin dh garantimin e kësaj strategjie është afatshkurtër, 3-vjeçar. Pra nuk mund të ketë asnjë strategji serioze dhe të besueshme në rast se edhe ajo nuk ka instrumentin e financimit të sigurt, të garantuar dhe në koherencë me vetë këtë strategji”, - u shpreh ai.
Kreu i LSI-së theksoi gjithashtu se kur një dokument ka shumë prioritete, në fakt nuk ka asnjë prioritet. “Për Shqipërinë prioriteti kryesor sot për sot është vetëm çështja energjetike. Është utopi dhe është mungesë realizmi të flasim për programet sociale, të flasim për rritjen e punësimit, të flasim për zhvillimin e bujqësisë, të flasim për zhvillimin e teknologjisë dhe për hapjen e internetit në gjithë Shqipërinë, pa zgjidhur çështjen e krizës energjetike”, - tha Meta.

21 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›