E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi i Kosovës, rezolutë kundër zgjedhjeve të Serbisë

Miratohet dokumenti, u hartua nga të gjitha grupet parlamentare.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar me shumicë votash një rezolutë që kundërshton mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë, në pajtim me të gjitha grupet parlamentare. Rezoluta u hartua nga shefat e grupeve parlamentare të PDK-së, LDK-së, Lëvizjes Vetëvendosje, AAK-së dhe AKR-së, me pak ndryshime nga versioni fillestar, i prezantuar nga subjekti më i madh në Parlament, PDK. Rezoluta e cilëson vendimin e Kuvendit të Serbisë për mbajtjen e zgjedhjeve serbe edhe në Kosovë, si shkelje të sovranitetit dhe cenim të marrëdhënieve ndërshtetërore dhe kërkon nga institucionet që të mos lejojnë mbajtjen e tyre. Ndërkohë, ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç, tha se mbajtja e zgjedhjeve në Kosovë nuk mund të vihet më në diskutim, pasi është nënshkruar nga kryetarja e Parlamentit të Serbisë. Serbia absolutisht nuk do të flasë më nëse këto zgjedhje duhen mbajtur ose jo në Kosovë. Zgjedhjet janë mbajtur 12-13 vjet dhe nuk e di përse tani do të ishin të diskutueshme, tha Daçiç, sipas agjencisë Blic. Por Kosova tashmë ka një rezolutë për të zbatuar, që konsiderohet një sfidë e vërtetë. Miratimi i këtij dokumenti nuk arriti të unifikojë qëndrimet e opozitës me qeverinë edhe në lidhje me dialogun me Serbinë. Sipas opozitës, qeveria, përmes këtij dialogu po përgatit terrenin për autonominë e Veriut të Kosovës. Akuza erdhi nga nënkryetari i Kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca. Me këtë qeveri në pushtet, vetëm një rezultat është i garantuar: autonomia e Veriut. Deri tani qeveria u ka thënë jo negociatave për Veriun, por nëse kjo jo, është sikurse jo-ja e fusnotës, atëherë unë po them vaj halli për ne, theksoi Konjufca. Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, kërkoi ndërprerjen e dialogut. Pas Kuvendit, Kryeministri Hashim Thaçi, bashkë me liderë të partive opozitare dhe partnerët e koalicionit, ka realizuar një takim me ambasadorët e vendeve të Kuintit, duke i informuar për qëndrimin e Republikës së Kosovës për pretendimin e Beogradit zyrtar që të organizojë zgjedhje në Kosovë. Vendimi i qeverisë së Serbisë për organizimin e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale të Serbisë në territorin e Kosovës është edhe një agresion tjetër dhe cenim i sovranitetit dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Kjo praktikë e dhunimit të integritetit territorial dhe rendit kushtetues të Kosovës nga ana e Serbisë duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë, theksoi Thaçi.

Rezoluta
1. Theksojmë se do të ishte shkelje e sovranitetit dhe cenim i marrëdhënieve të mira fqinjësore në mënyrë të njëanshme zgjedhjet në një shtet europian.

2. Konkludojmë se Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk lejon mbajtje të zgjedhjeve serbe në Kosovë dhe kërkon nga qeveria e Kosovës ta zbatojë këtë.

3. Kuvendi dhe qeveria njëzëshëm theksojnë se qytetarët janë të bashkuar kundër mbajtjes së çfarëdo procesi zgjedhor që do të cenonte shtetësinë, integritetin territorial dhe rrjedhimisht do të minonte procesin e pajtimi.

4. Kuvendi konfirmon se të gjitha subjektet politike, qofshin pozita e opozita, do të punojnë në përputhje me parimet europiane dhe me Kushtetutën

Thaçi: Pretendimet serbe do të çojnë drejt Shqipërisë së madhe
Kryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar dje në Kuvend se pretendimet territoriale të Serbisë për pjesën Veriore të Kosovës janë të papranueshme. Dhe përveçse provokojnë konflikt të hapur me Kosovën, sjellin pasoja reale për Ballkanin. Kryeministri i Kosovës paralajmëroi se nëse situata vjen deri te hapja e çështjes së kufijve në Ballkan, atëherë shqiptarët fare mirë do të jetonin të bashkuar në një shtet të vetëm.   Pretendimet që paraqiten aty-këtu për ndonjë autonomi apo status special, nuk janë të vërteta, janë të paqëndrueshme dhe nuk do të ndodhin. Edhe sa i përket pretendimit për ndryshimin e kufijve, unë ua kam bërë të qartë, në emër të qeverisë, të gjithë miqve ndërkombëtarë, mesazhin e të gjitha institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës, se me pretendime të tilla për ndryshimin e kufijve, shqiptarët më së miri dhe më së lehti mund të jetojnë në një shtet të vetëm, deklaroi Thaçi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›