Putin në Presidencë, Rusia, katër ditë festë
Kryeministri rus ka vendosur të festojë kthimin e tij në Presidencën e vendit për katër ditë rresht bashkë me rusët, me njoftimin se i gjithë vendi do ta ketë pushim nga data 6 deri në 9 maj, ditët e inaugurimit të tij në postin e kreut të shtetit për të tretën herë. Kjo, në mënyrë që rusët të mund të merren me kopshtin e tyre, shkruajnë agjencitë ruse të lajmeve. Banorët kanë kërkuar festa shtesë që të mund të shkojnë në fshat, në kopshtin e tyre, ka thënë Putin. Rusët çdo vit kremtojnë 9 Majin, ditën e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në Europë. Putin u zgjodh President më 4 mars me mbi 63 për qind të votave, edhe pse zgjedhjet u quajtën të manipuluara. Presidenti i ri nuk ka bërë asnjë deklaratë se kur do të bëhet betimi i tij si lideri i ri i vendit, pas përfundimit të mandatit të mikut të tij të ngushtë, Dimitri Medvedev.