E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi i Shqiperise nuk ka bere asnje tender kompjuterash gjate 2013

Kuvendi i Shqipërisë ka sqaruar sot mediat në lidhje me disa tituj të disa mediave për tendera kompjuterësh nga Parlamenti në ditët e fundit. Në njoftimin në faqen online të parlamentit sqarohet se Kuvendi i Shqipërisë nuk ka bërë asnjë tender kompjuterash dhe se gjithcka shkruhet në lidhje me të është e gënjeshtërt.

“Kuvendi i Shqipërisë as këto ditë dhe as gjatë vitit 2013 nuk ka bërë as edhe një tender kompjuterash. Çdo gjë që shkruhet në lidhje me këtë është gënjeshtër, keqdashësi dhe mashtrim. Kompjuterët që po instalohen në sallën e Seancave Plenare janë prokuruar (blerë) që në vitin 2012 duke iu nënshtruar plotësisht procedurave të prokurimit publik me tender të hapur, me një konkurencë maksimale dhe garë të ndershme mes kompanive (siç del qartë edhe nga njoftimi zyrtar në buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik të datës 26 nëntor 2012 i njoftimit të kontratës së nënshkruar me kompaninë fituese, bashkëlidhur dokumentet e skanuara). Ato janë pjesë e projektit e-parlament, i cili tashmë është në fazën e tij të implementimit përfundimtar.”

Më tej në njoftim thuhet se projekti e-parlament është një ndër arritjet më të mëdha në fushën e dixhitalizimit të Kuvendit të Shqipërisë.

Ky projekt, i cili është realizuar në disa faza, në bashkëpunim dhe me kontributin e OSBE-së dhe IPA-s (projekt i financuar nga Bashkimi Europian) dhe kompanisë Microsoft, dixhitalizon të gjithë procesin ligjbërës që nga momenti që projektligji vjen në Kuvend e deri në miratimin dhe dërgimin për publikim në Fletoren Zyrtare.
E-parlament do të bëjë të mundur rritjen e efektivitetit të punës së Kuvendit të Shqipërisë dhe në mënyrë të veçantë të deputetëve, pasi tashmë çdo deputet do të ketë të dixhitalizuar (në format elektronik) çdo dokument parlamentar që lidhet me procesin ligjbërës, që nga projektligji, relacioni përkatës i Këshillit të Ministrave, raportet e komisioneve përkatëse që e shqyrtojnë atë projektligj, amendimet, votimet deri në momentin që ligji votohet në seancë plenare.
Nga ana tjetër, falë këtij projekti bëhet i mundur krijimi i një data-base të plotë të të gjitha ligjeve që Kuvendi miraton. Projekti e-parlament është një hap shumë i rëndësishëm në rritjen e mëtejshme të transparencës së Parlamentit kundrejt zgjedhësve.

Administrata e Kuvendit të Shqipërisë sqaron se po punon me përkushtim për fillimin e legjislaturës së re të Kuvendit dhe në këtë kuadër të gjitha këto investime në fushën e teknologjisë së informacionit do të bëjnë të mundur që Kuvendi i Shqipërisë të jetë një institucion më efektiv, më transparent, më i përfaqësuar, më i besueshëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›