Meta: LSI synon të jetë forcë e parë
24/04/2005 Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka kritikuar qeverinë dhe ministrat për krizën social-ekonomike që po kalon vendi. Gjatë një takimi të zhvilluar me elektoratin e qytetit të Elbasanit, Meta ka theksuar se me fitoren e LSI-së, “Elbasani nuk do të jetë më “kryeqyteti” i papunësisë, varfërise, ndotjes vrasëse mjedisore dhe stanjacionit regresist”. LSI-ja, dega Elbasan, ka zhvilluar punimet e Konferencës së Parë të saj, ku anëtarët votuan për organet drejtuese, duke zgjedhur kryetar kirurgun Bujar Kllogjri, sekretar ish-kryetari i PS-së në Elbasan si dhe anëtar i Këshillit Bashkiak, Ilir Zjarri. Meta tha se, “me angazhimin intensiv e të përditshëm të strukturave dhe anëtarësisë lokale, me besimin që ka ngjallur në opinionin e qytetëruar dhe me tradita elbasanas vizioni dhe veprimi politik i LSI-së, si dhe me zhgënjimin që kanë ngjallur partitë e vjetra politike, LSI, edhe në rrethin dhe Qarkun e Elbasanit, do të arrijë kuotat më të larta të votave për përmbushjen e objektivit të përcaktuar nga Konventa e Parë Kombëtare e LSI-së për të qenë forca e parë politike në vend. Për të mundësuar e realizuar në këtë mënyrë ndryshimin, zhvillimin dhe integrimin euro-atlantik të Shqipërisë dhe shqiptarëve”. Nga të pranishmit është diskutuar se me konsolidimin e dy forumeve të tjera, si LRI-ja dhe LGI-ja, ku u theksua se kandidatët e LSI-së në Elbasan do të fitojnë mazhoritarin në shumicën dërrmuese të zonave.