E Hënë, 2 Nëntor 2026

Të blertët kërkojnë mbrojtjen e mjedisit

24/04/2005  Kryetarja e Lidhjes së Blertë Shqiptare, Brixhida Kokëdhima, në një tryezë të zhvilluar dje ka vënë theksin në rreziqet që i kanosen mjedistit shqiptar nga ndotjet. Gjatë takimit të zhvilluar me shkencëtarë, specialistë dhe studiues të shkencave të lidhura me mjedisin nga e gjithë Shqipëria, për të krijuar Këshillin Shkencor Ambiental, kryetarja është shprehur se “zhvillimet e 2 viteve të fundit kanë dëshmuar rreziqe shumë më të mëdha për mjedisin shqiptar dhe për botën e gjallë të tij sesa ndotjet e larta që ekzistojnë prej shumë vitesh. Projektet e mëdha industriale e të pakuptimta për të djegur në Shqipëri plehrat e të huajve, ose për të prodhuar këtu energjinë e pastër, që iu duhet vendeve të tjera, dëshmojnë se sa të vështirë e ka Shqipëria mbrojtjen e mjedisit të saj”. Për të mbrojtur mjedisin shqiptar nga shkatërrimi, të blertët kanë kërkuar transparencën e qeverisë dhe kompanive të huaja për "Parkun Energjetik të Vlorës" dhe ka mbështetur gjithë nismat që kanë synuar në transparencën e projektit të Vlorës. Sipas të blertëve, këmbana e alarmit për mjedisin shqiptar duhet të sensibilizojnë çdo qytetar të thjeshtë për problemet e rënda të mjedisit. Sipas Kokëdhimës, “shoqëria jonë ka nevojë për të pasur një alternativë politike të përcaktuar qartë për një zhvillim të qëndrueshëm të vendit që respekton si prioritet mbi të gjitha prioritetet mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të njerëzve, zhvillimin e parimeve të ekologjise politike, kultivimin e vlerave humane dhe civilizimin e shoqërisë dhe të politikës shqiptare”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›