E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Zgjedhjet në rrezik serioz”

31/03/2009  Ruçi dhe Xhufi për kartat

Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim u ndalën sërish dje te procesi i pajisjes së shtetasve shqiptarë me karta identiteti. Nga selitë respektove përfaqësuesit e këtyre dy partive kanë apelur që qeveria “Berisha” të ndërgjegjësohet për mbarëvajtjen e një procesi të tillë. Kjo pasi sipas tyre me propozimet e deklaruara nga kjo qeveri vetëm sa thellohen vështirësitë në këtë proces dhe nuk i jepet zgjedhje atij. Kryetari i Asamblesë Kombëtare të PS-së, Gramoz Ruçi, referuar uljes së pagesës për kartat e identiteti sipas kategorive të caktuara u shpreh se “zgjedhjet janë në rrezik, sepse sistemi i aplikimit për letërnjoftimet elektronike për shtetasit shqiptarë është një çorganizim i organizuar nga qeveria aktuale”. Po në këtë linjë, Ruçi bëri me dije se “Partia Socialiste e Shqipërisë konstaton se zgjedhjet e 28 qershorit rrezikohen seriozisht. Ato rrezikohen seriozisht si rezultat i mungesës së vullnetit politik të mazhorancës aktuale dhe lidershipit Sali Berisha, me synimin e vetëm manipulimin e rezultatit të 28 qershorit”. Gjithashtu deputeti socialist kërkoi nga kryeministri Berisha që “të mos bëjë shurdhin dhe as memecin, por të dëgjojë zërin këmbëngulës të opozitës për të mos shkelur të drejtën e shenjtë për të votuar dhe të heqë një herë e përgjithmonë nga mendja e tij shpresën për të manipuluar zgjedhjet”. Sipas tij, në vend që qeveria të miratojë propozimin e bërë nga Partia Socialiste, ajo i përgjigjet me gjysmë lehtësira, që më shumë e komplikojnë dhe vështirësojnë procesin, sesa e zgjidhin atë. Në po këtë linjë u shpreh dhe kryetari i grupit parlamentar të LSI-së Pëllumb Xhufi. “Vendimi i fundit i qeverisë është i destinuar të shtojë konfuzionin, nga njëra anë, dhe nga ana tjetër rrezikon që të demotivojë më tutje qytetarët për tu përfshirë në proces dhe për tu pajisur me kartat e identitetit”, deklaroi Xhufi. Për këtë arsye, në emër të LSI-së ai kërkoi pajisjen e qytetarëve me karta falas. “Zgjidhja e fundit, të cilën ne e kemi theksuar edhe më parë, është ajo e shpërndarjes dhe pajisjes me karta identiteti pa e lidhur procesin me pagesën. Falas, në kuptimin imediat. Në gjykojmë pastaj që në një moment të dytë shteti i ka të gjitha mundësitë që t’ia nënshtrojnë pagesën qytetarëve, kategorive të ndryshme, me një bazë të drejtë, në bazë të të ardhurave, por kjo natyrisht do kohën e saj”, vuri në dukje Xhufi, lidhur me këtë çështje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›