Pirlo: Sezon i dështuar pa Champions
Andrea Pirlo duket se i ka idetë shumë të qarta rreth asaj që pritet nga kuqezinjtë në fundin e këtij edicioni. "Do të cilësohej një sezon i dështuar nëse nuk do të sigurohej kualifikimi në Ligën e Kampioneve nëpërmjet vendit të katërt. Jemi eliminuar nga Liga e Kampioneve dhe nga Kupa e Italisë, ndërsa nuk kemi qenë asnjëherë të përfshirë në garën për titullin kampion. Por besoj se një gjë e tillë do të na ndihmojë për sezonin e ardhshëm, ku do të kërkojmë me më shumë ngulm sukseset", ka shpjeguar mesfushori, i cili nuk pranon të justifikohet me faktin se skuadra ka fituar Botërorin e Klubeve. Sipas tij, mesfusha nuk ka nevojë për përmirësime dhe Gatuzo nuk duhet të largohet. "Gatuzo është një flamur i kësaj skuadre dhe nuk mendoj se ka nevojë të largohet. Kjo edhe për faktin se në sezonin e ardhshëm do t‘u rikthehemi sukseseve. Del Piero? Ai ka qenë gjithmonë pjesë e grupit dhe ne lojtarët duam që të jetë në Evropian, por zgjedhja është në dorën e trajnerit", tha ai.