E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi kufizon pushtetin e Ramës tek taksat, 10% kufiri ndaj biznesit të vogël

Topalli: Nuk i lëmë qytetarët të paguajnë taksa të larta, se i mbushet mendja kryesocialistit
Me 73 vota pro, Parlamenti ka miratuar ndryshimet në ligjin për taksat vendore, i cili parashikon vendosjen e kufijve të pushtetit vendor për taksat ndaj biznesit të vogël. Në bazë të projektit, bashkitë dhe komunat nuk mund të ulin më shumë se 30 % taksat ndaj biznesit, por as t'i rrisin ato më shumë se 10 %. Gjithashtu pr/ligji parashikon edhe krijimin e një Task Force të veçantë, i cili do të shqyrtojë me përparësi çdo ankesë të biznesit të vogël. Nuk do ti lëmë qytetarët të paguajnë taksa aq të larta, se i mbushet mendja atij, ka theksuar kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli duke iu drejtuar kryebashkiakut Rama.
Miratimi i taksës në KM
Taksat e Bashkisë së Tiranës janë shndërruar tashmë në një gangrenë për qytetarët e Tiranës dhe biznesin që operon në kryeqytet. Bashkia e Edi Ramës e ka kthyer në qëllim në vetvete rrjepjen e qytetarëve dhe bizneseve të Tiranës duke i shtuar taksat me 400 dhe 500 për qind në dy vjet. Shqetësimi i qytetarëve dhe sensibilizimi i bërë nga mediat gjatë këtyre ditëve, ka detyruar qeverinë shqiptare të marrë masa ndaj ngritjes galopante të taksave. Gjatë mbledhjes së datës 15 prill, qeveria shqiptare ka vendosur ti ngushtojë pushtetit lokal hapësirën për vendosjen e taksave dhe tarifave. Këshilli i Ministrave ka miratuar ligjin, i cili u vendos një kufi prej 10%, drejtuesve të qeverisjes vendore për vendosjen e taksës mbi biznesin e vogël. Berisha e kishte paralajmëruar një vendim të tillë disa javë më parë, ndërkohë që debatet qeveri-bashki për taksat lokale mbi biznesin e vogël kanë vazhduar. Duke nënkuptuar kreun e Bashkisë Tiranë, Berisha kërkoi që një vendim i tillë të mos merret kurrsesi si karshillëk duke theksuar se nuk mund të pranohet që bashkitë të rrisin çdo vit taksën e pastrimit apo gjelbërimit. Po ndodh absurdi, është katërfishuar taksa e gjelbërimit, e pastrimit. Është e drejtë të pyesim se kur ka qenë normale dhe kur abuzive, cili nivel është normal dhe cili abuziv, apo në qoftë se pas tre viteve janë katërfishuar, lind pyetja çfarë ndodhi që ato të katërfishohen, u shpreh kreu i ekzekutivit. Në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Berisha ka lexuar mesazhin e një qytetari në Tiranë, i cili ankohej se taksa e Bashkisë ishte gati dy herë më e lartë se fitimi neto, ndërsa tha se disponon plot një dosje me ankesa të kësaj natyre. Jam një biznesmen i vogël, që vite më parë mora me qira një ambient për të shitur mallra, fitim vjetor neto, më shkruan biznesmeni, është 540 mijë lekë. Ndërkohë, bashkia e Tiranës më sjell vlerësimin tatimor prej 870 mijë lekë. Pra, taksat dhe tarifa nuk do të ketë më të drejtë të vendos më shumë se 10 për qind të taksës së biznesit të vogël, theksoi Berisha. Sipas tij, veçanërisht në Tiranë, rritja e taksave në këtë kohë krize ekonomike po bëhet në mënyrë abuzive, duke i çuar drejt falimentimit bizneset e vogla. Në mbledhjen e qeverisë, kreu i saj, Sali Berisha lajmëroi mbështetjen ndaj këtij biznesi ku organi tatimor qendror, me një Task Force të veçantë, do të shqyrtojë me përparësi çdo ankesë të biznesit të vogël dhe qeveria do të ketë tolerancë zero ndaj abuzimit me të. Sipas tij, qeveria ashtu siç ka bërë këtë ligj, mund të bëjë edhe ligje të tjera për ta mbrojtur atë. Ndryshe nga disa ditë më parë, kur paralajmëroi këtë iniciativë të qeverisë që drejton, kryeministri Sali Berisha solli një shembull konkret të asaj që e cilësoi abuzim në kurriz të biznesit të vogël. Kryeministri Berisha e cilësoi vendimin si një detyrim për të mbrojtur biznesin e vogël, i cili sipas përllogaritjeve punëson 200 mijë persona. Biznesi i vogël është për Shqipërinë sektori më i fuqishëm i ekonomisë. Pavarësisht se kontributi i tij në buxhetin publik është pakrahasimisht më i vogël se biznesi i madh, biznesi i vogël është gjeneratori i punësimi në vend. Në këtë biznes janë të punësuar minimalisht 180-200 mijë shqiptarë. Është rritur në mënyrë të pakonceptueshme absurditeti i tatimit. Pra, taksa dhe tarifa nuk do të ketë më të drejtë të vendosë më shumë se 10 për qind. Organi tatimor qendrorë të shqyrtojë çdo ankesë të biznesit të vogël, u shpreh kryeministri, duke bërë të qartë se duke respektuar problematikën e pushtetit vendor, qeveria ngushton marzhin, duke mos pasur të drejtë të vendosë më shumë se 10 për qind të taksës të biznesit të vogël.

Last Updated on Friday, 24 April 2009 13:05

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›