E Diel, 1 Nëntor 2026

Paloka: Rama humbësi i zgjedhjeve, justifikohet me kartat e identitetit falas

Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka deklaroi dje në Kuvend, se strategjia e përdorur nga opozita për çështjen e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti është qesharake dhe synon t'i lërë shqiptarët pa marrë këto dokumente të rëndësishme. Gjatë debatit të lirë në seancë plenare, deputeti demokrat u shpreh se Edi Rama kërkon që t'i lërë shqiptarët pa kartat e identitetit vetëm që të ketë një justifikim për humbjen në zgjedhjet parlamentare. Sipas tij, opozita po bëhet qesharake duke paraqitur koncepte komuniste si koncepte progresiste, pasi nuk ka asnjë vend në botë ku mund të pajisesh falas me ndonjë dokument identiteti. Ndërsa, kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Pëllumb Xhufi tha se "rrugëdalja për të shpëtuar zgjedhjet e 28 qershorit është shpërndarja falas e kartave të identitetit". Në debatin e lirë parlamentar deputeti Xhufi tha se maxhoranca po e shfrytëzon situatën e pajisjes me karta,për një fitore të palavdishme në zgjedhje. "Kartat janë vërtet të rëndësishme, por ato duhet të ishin shpërndarë kohë më parë, pasi pajisja e shtetasve me këto dokumente një ditë para procesit zgjedhor, i bën ato thjesht 'karta bianka', u shpreh Xhufi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›