Olldashi: Procedura e operatorit të katërt celular, ligjore dhe transparente
Ministri i Telekomunikacioneve, Sokol Olldashi nisur nga diskutimet e bërë ditët e fundit, në lidhje me licencën e katërt të telefonisë mobile, dhe pas miratimit të saj në Kuvend ka sqaruar pozicionin e Ministrisë në lidhje me këtë procedurë e cila sipas tij është tërësisht ligjore dhe transparente. Postë Telekomunikacioni i Kosovës dhe Grupi i Biznesmenëve shqiptar kanë ofruar një çmim 7.2 ( shatë pikë dy) milion euro, ndjeshëm më të lartë se çmimi minimal që ne kërkonim prej 5 milion (në dokumentacionin e tenderit), dhe shumë herë më të lartë se çmimi i lobuar prej 1 milion eurosh.
Në këto kushte duke qenë se konkurrenti i dytë, ka qenë me dokumentacion të pasaktë dhe duke parë të gjithë përpjekjet që u bënë, për ta dështuar tenderin ( tërheqja e të paktën 3 firmave që ndonëse shprehen interes në garë dhe kërkuan shtyrje afati- në konkurrimin e datës 20 shkurt 2009 nuk u paraqitën), MPPTT-ja ka ndërmarrë iniciativën për të zgjedhur një procedurë tjetër atë, të propozimit të një Projektligji për dhënien e licencës të telefonisë së katërt lëvizëse, sqaron ministri Olldashi gjatë një deklarate për shtyp. Sipas tij, nga pikëpamja ligjore, propozimi është tërësisht në përputhje me ligjin dhe deklaron se miratimi i këtij vendimi nga kuvendi ka vlerën e të njëjtit ligj, sikurse dhe ligji i komunikimeve elektronike. Kemi mbajtur të njëjtat kushte dhe procedura të propozuara në dokumentacionin e tenderit pra, detyrimin e kompanisë për të shlyer brenda afatit 7 ditor 7.2 milionë euro nga marrja e njoftimit (të fituesit), dhe ndërkohë i hapim tregut të telefonisë së lëvizshme një operator të katërt, i cili me paketën e tij ka ofruar ndjeshëm çmime më të ulëta se ekzistentët në treg, ka sqaruar Olldashi, duke shtuar se në këtë mënyrë Shqipëria bëhet vendi i parë në Rajon me katër licenca GSM-je. Ai thekson se pas diskutimesh të gjata me AKEP-in, është rënë dakord dhe nga bordi me një votë kundër, që çmimi minimal që duhet të pranohej për dhënien e licencës së katërt GSM, do të ishte 5 milion Euro dhe tenderi për licencën e katërt GSM është hapur fillimisht sipas procedurave të parashikuara në ligjin për komunikimet elektronike. Është shpallur procedura e tenderit, në bazë të procedurave të përcaktuara me një vendim te Këshillit të Ministrave dhe të hartuar nga AKEP-i. Në këtë tender që është zhvilluar në datë 20 shkurt kanë marrë pjesë 2 kompani, Postë Telekomunikacioni i Kosovës i shoqëruar me një konsorcium biznesi nga një grup biznesmenësh shqiptarë dhe një kompani e dytë, e cila që në fillimin e ekzaminimit të dokumentacionit (nga KVO ) është vlerësuar negativisht për shkak se ka pasur mungesa të theksuara në paraqitjen e dokumentacionit, nënvizon ai, duke veçuar një debat me anëtarët e AKEP-it, për vendosjen e çmimit, ku në shprehjen e interesit ka pasur 2 çmime të fiksuara ( 1 milion dhe 5 milion euro). Ka pasur një insistim të gjatë për tu mbajtur çmimi minimal prej 1 milion Euro, ndërkohë që Ministria ka kërkuar me këmbëngulje, që çmimi minimal të ishte ai më i larti i ofruar në shprehjen e interesit prej 5 milion Euro-sh, sqaron ministri Olldashi gjatë deklaratës së tij për shtyp.