E Diel, 1 Nëntor 2026

Çuli: Nuk ka zgjedhje pa kartë identiteti

Deputetja e PSD, Diana Çuli deklaroi se nuk do të ketë zgjedhje në qoftë se çdo votues i Republikës nuk do të ketë pasaportë ose nuk do të jetë i pajisur me karta identiteti. Kjo shumicë dhe qeveria e saj e kryesuar nga Berisha do të largohet ose me votën e lirë të realizuar nëpërmjet kartave, ose me dorëheqjen e tij dhe të qeverisë për mungesën e vullnetit politik dhe për paaftësinë për të realizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, u shpreh Çuli. Duke u ndalur tek Komisioni Hetimor ndaj kryebashkiakut Edi Rama, Çuli tha se po ngrihet në një kohë kur vetë qeveria në dritën e diellit, kryen veprime korruptive si privatizimi i OSSH-së, si dhënie liçence telefonike pa procedura tenderimi dhe njëkohësisht, duke ushtruar presion mbi prokurorinë e institucionet e tjera ligjore. Sipas saj, të gjitha veprimet e ditëve të fundit të institucioneve të drejtësisë,vërtetojnë se nuk janë të pavarura, por ndodhen nën presionin e drejtpërdrejt të Berishës dhe se ai kërkon të jetë vetë prokuror dhe vetë gjykatës, vetë të akuzojë dhe vetë të dënojë. Ne i bëjmë thirrje prokurorisë edhe institucioneve të tjera të drejtësisë ti lenë lojërat e procedurave, sepse detyra e tyre nuk është ti tregojnë procedurat njëra-tjetrës, por të vërtetojnë ligjërisht se ku qëndron korrupsioni dhe shpërdorimi, u shpreh Çuli.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›