Pranga policit të Burgjeve, rrahu gruan
Gjovalin Pjetri akuzohet për ushtrim dhune ndaj ish-bashkëshortes së tij dhe thyerjes së urdhrit të gjykatës
Edhe pas divorcit, polici jetonte në një shtëpi me ish-bashkëshorten. E dhunoi në gjendje të dehur
TIRANË- Kërcënon me pistoletë ish-bashkëshorten, arrestohet polici i burgjeve. Gjovalin Pjetri, 49-vjeç, me detyrë punonjës i policisë së Burgjeve tek 302-shi në Tiranë është arrestuar dy ditë më parë nga policia, pasi akuzohet se ka kanosur ish-gruan e tij. Burime zyrtare nga policia e kryeqytetit thanë se ndaj Pjetrit ka kryer denoncin ish-bashkëshortja e tij, Vjollca Gjergji, 40 vjeçe. Menjëherë pas denoncimit të gruas, efektivat blu janë vënë në lëvizje për arrestimin e kolegut të tyre, por janë përballur me kundërshtimin e tij. Më pas seksioni i Mbrojtjes së të Miturve dhe Dhunës në Familje ka bërë të mundur arrestimin e policit të burgjeve, ndërsa në cilësinë e provës materiale kanë bllokuar pistoletën tip TT.
Kanosja
Konsumonte alkool dhe kur kthehej në banesë, dhunonte të shoqen. Këtë fakt, Gjovalin Pjetri e kishte kryer me dhjetëra herë, derisa pak muaj më parë bashkëshortja e tij Vjollca Gjergji vendosi të divorcohej. Por duket se edhe ndarja nuk ka mundur të shpëtojë 40-vjeçaren nga dhuna dhe kërcënimet e ish-burrit të saj, sepse kushtet ekonomike e detyronin të ndante me të të njëjtën shtëpi. Mësohet se Gjergji ka kërkuar divorcin në gjykatë si dhe mbrojtje nga strukturat e policisë.Kështu, më 5 nëntor të vitit të kaluar gjykata ka lëshuar vendimin për mbrojtjen e 40-vjeçares. Por duket se kjo nuk e ka trembur policin e burgjeve, i cili dy ditë më parë, me armën e punës ka kërcënuar të shoqen. Burime nga policia thanë se Pjetri kishte konsumuar pije alkoolike dhe nën efektin e saj ai ka marrë armën e punës dhe ka kanosur seriozisht për jetën ish-bashkëshorten e tij. Kjo e fundit ka sinjalizuar menjëherë policinë.
Arrestimi
Forcat e policisë mbërritën në banesën e çiftit për të kryer shoqërimin e kolegut të tyre. Por Gjovalin Pjetri nuk ka pranuar të shkojë në komisariat, duke u bërë rezistencë forcave blu. "Gjovalin Pjetri ka kundështuar punonjësit e policisë për shoqërimin e tij në komisariat, duke penguar ekzekutimin e vendimit gjyqësor, që me datë 05 nëntor 2007, ka lëshuar urdhrin e mbrojtjes për 40-vjeçaren Vjollca Gjergji",- thanë burimet zyrtare të policisë së Tiranës. Pas disa minutave rezistencë, polici i burgjeve është dorëzuar ndërsa policia i ka vënë prangat. Ai akuzohet se ka konsumuar veprat penale tëkanosjes, kundërshtimit të punonjësve të policisë së rendit publik",- si dhe pengimin për ekzekutimin e vendimit të gjykatës. Në cilësinë e provës materiale të arrestuarit iu bllokua pistoleta tip "TT". Ndërkohë që dy ditë më parë, një tjetër dhunë brenda familjes ka regjistruar policia e Tiranës. Arben Spaho, 33-vjeç është shoqëruar në ambientet e komisariatit të policisë së Kamzës sepse dyshohet se ka dhunuar bashkëshorten e tij E.Spaho 30-vjeçe. Burime nga policia thanë se në denoncimin e saj 30-vjeçarja ka deklaruar se është dhunuar me mjete të forta nga bashkëshorti, ndërsa kishte shenja dhune të dukshme në trup.