E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku i pistoletave, 14 vjet burg autorëve

 Krimet e Rënda dënojnë Kujtim Bajramin dhe Isa Doçin, pasi trafikuan pistoleta nga Kosova
TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi me 14 vjet e 6 muaj burg tre tropojanët që trafikuan nga Kosova në Shqipëri 21 pistoleta të tipit "Zastava" dhe 300 fishekë. Sipas vendimit të togave të zeza, të kryesuara nga gjyqtarja Ilirjana Olldashi, i pandehuri Kujtim Bajrami deklarohet fajtor për veprën penale të "drejtimit, financimit dhe organizimit të trafikut të armëve luftarake" dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar dënohet përfundimisht me 7 vjet e 8 muaj burg. Ndërkohë, i pandehuri Isa Doçi i cili i ka blerë dhe më pas trafikuar 21 pistoletat nga Kosova në Shqipëri, sipas gjykatës ka konsumuar veprën penale të "trafikut të armëve dhe municioneve luftarake". Për kryerjen e kësaj vepre ai dënohet me 6 vjet e 4 muaj heqje lirie. Nipi i këtij të fundit, i pandehuri adoleshent Edison Demushi sipas gjykatës është fajtor për kryerjen e veprës penale të "moskallëzim krimit" dhe dënohet me 6 muaj heqje lirie. Sipas vendimit, tre të pandehurit në bashkëpunim me njëri –tjetrin, por në role të ndryshme kanë trafikuar nga Kosova 21 pistoleta të prodhimit jugosllave të tipit "Zastava" dhe 300 fishekë. Pak ditë para ndërrimit të viteve, prokurori i çështjes, Ened Nakuçi lexoi para gjykatës konkluzionet përfundimtare, ku kërkoi dënimin e të pandehurit Isa Doçi me 12 vjet burg, për të pandehurin Kujtim Bajrami 11 vjet heqje lirie dhe për adoleshentin Edison Demushi 18 muaj burg. Togat e zeza të Gjykatës së Krimeve të Rënda, në dispozitivin e vendimit zbardhën rolet e të pandehurve në këtë trafik armësh dhe mënyrën e sjelljes nga Kosova në Shqipëri. "Pas hetimit gjyqësor u vërtetua se i dyshuari Kujtim Bajrami, më datë 8 gusht 2007 ka paguar taksistin Isa Doçi me 1470 euro për të shkuar në Kosovë dhe për të blerë 21 pistoleta, së bashku me 300 fishekë si dhe për t'i transportuar ato",-thuhet në vendim. Adoleshenti Edison Demushi ka qenë rastësisht në makinën "Mercedes Benz" 200 me targa "SH 0069 E" ditën e blerjes dhe transportimit të tyre nga pika kalimit kufitar Qafë Morinë deri në vendin e arrestimit, në afërsi të Fierzës, ku u arrestuan dheu sekuestruan armët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›